
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, e ka shfrytëzuar një foto të realizuar para 25 viteve, në kohën kur ishin bërë pajtimet e gjaqeve, për të folur për gabimet e njerëzve.
Tërthorazi, Grabovci, i cili është protagonistë i përgjimeve të njohura me emrin “Dosja e Shefave”, ka tentuar të mbajë një ligjëratë filozofike, duke folur për gabimet që i bëjnë njerëzit si në politikë apo në ndonjë fushë tjetër. Ka thënë se kudo që ka mendime, ka edhe gabime. Por, ka treguar se gabimi i mundëson njeriut të zhvillojë fushën e mendimit.
“Urojmë që të rrugëtojmë mençurisht duke e mbajtur të freskët kujtesën tonë sepse harresa ia humbet kuptimin faljes. Kudo ku ekziston të menduarit, ekziston edhe të gabuarit por gabimi i mundëson qenies njerëzore të zhvillohet në fushën e mendimit”, ka shkruar Grabovci.
“Duke vazhduar rrugëtimin tonë (në politikë dhe çdo dimension tjetër), na ndihmoni të gabojmë sa më pak dhe njëherazi gabimet t’i kthejmë në suksese që historia jonë të jetë jo vetëm mësim por edhe përmbushje e shpirtit njerëzor”, ka shtuar ai.
Adem Grabovci është shef i grupit parlamentar të PDK-së, ndërsa në serinë e përgjimeve të publikuara nga Insajderi – “Dosja e Shefave”, Grabovci është njeriu kryesor që kryen detyrat e “nëntokës së PDK-së”. Ai është edhe njeriu kryesor i kësaj partie që punëson njerëz të afërm me PDK-në.
Për shkak të përgjimeve që u publikuan javën e kaluar, shoqëria civile është duke organizuar edhe protesta, të cilat sic kanë paralajmëruar ata, do të vazhdojnë edhe më tutje.
Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet. /Insajderi.com