
Drejtuesit e gazetës Shekulli nga Shqipëria kanë vendosur që të pezullojnë gazetarin Isuf Kurtaj, i cili përdori gjuhë fyese derisa komentonte vendimin e disa futbollistëve shqiptarë të Kosovës për të braktisur kombëtaren shqiptare për të luajtur për Kosovën.
Sipas redaksisë së kësaj gazete të njohur shqiptare, Kurtaj ka dëmtuar imazhin e gazetës me statusin e tij në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjerash, në statusin e tij ai thotë se kosovarët janë racë e poshtër.
“E zëmë se Kosovska-Metohio që shumë prej jush i paska gërryer kaq shumë meraku me bë ekip kualifikohet, një gjë doja t’ju pyesja: si leshin do të brohorisni? O sa mirë me qenë kosovarë? Yt racë e poshtë!”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Gazeta Shekulli ka sqaruar se reagimi i gazetarit është bërë mbrëmjen e vonë të 16 gushtit, ndërsa ai prej tre ditësh është me pushime në bregdetin e Himarës.
Gazetari Kurtaj është nga Kosova, por ka studiuar dhe jeton në Tiranë tash e disa vite.
“Në një sqarim për redaksinë, gazetari Kurtaj tha se statusi i tij, në profilin personal ishte keqkuptuar. Gjithsesi, redaksia vendosi ta pezullojë deri në një vendim të dytë”, njofton Gazeta Shekulli./Insajderi.com