
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se dorëheqja e Adem Grabovcit nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës nuk është e mjaftueshme.
Ai në një intervistë për Ora News ka thënë se përgjimet telefonike që po publikohen nga Insajderi tregojnë për kapjen e shtetit dhe të drejtësisë nga presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Adem Grabovci, protagonist kryesor i Dosjes së Shefave – një seri përgjimesh telefonike të publikuara nga Gazeta Online Insajderi ku dëshmohet se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit – ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie të martën.
Ai ka njoftuar se dorëheqja e tij vije si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve, pasi që sipas tij, “këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.”
Menjëherë pas dorëheqjes së Grabovcit, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, duke thënë se Grabovci ka qenë vetëm ekzekutues i urdhrave të tyre.