Shqiptarët e ShBA-së dhuruan rreth 2 milionë dollarë për Katedralen - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqiptarët e ShBA-së dhuruan rreth 2 milionë dollarë për Katedralen

    Insajderi
    18 August 2016 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shqiptarët që jetojnë në Nju Jork kanë kontribuar me 1 milion e 800 mijë dollarë për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, u bë e ditur gjatë një pritje të Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga nënkryetari Agim Rexhaj.

    “Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Terezë në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për 9 vite me 1.800.000 dollarë. Mendojmë që deri vitin e ardhshëm shifra të arrijë në 2 milionë dollarë”, tha Marjan Cubi, raporton ATSH nga Prishtina.

    Ai është arkëtari i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales ‘Nënë Tereza’ në kryeqytetin e Kosovës.

    Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punën e kryera në Katedrale si dhe për përgatitjet për koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

    E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

    Ndërkohë, për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjen për shenjtërimin e Nënë Terezës, Infinity Art dhe Ipeshkvia e Kosovës organizojnë ekspozitë me portretet e Nënë Terezës, punime të artistëve të rinj të Kosovës, bëri të ditur sot për ATSH-në zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi.

    Ekspozita do të hapet në 26 gusht në ora 10:00 e do të jetë e hapur deri në 28 gusht, prej orës 10:00 deri në 16:00, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

    Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga Qeveria e Kosovës, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

    Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

    Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark