
Uji në Komunën e Haraçinës është i pa pijshëm. Kjo për shkak të mos funksionimit të pompave të ujësjellësit të cilat pësuan nga vërshimet e dy javëve më parë.
Në këtë ujësjellës nuk kanë ndërmarrë asgjë për tejkalimin e këtij problem, pasi që thonë se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për zgjidhjen e këtij problem, por presin ndihmën e Qytetit të Shkupit.
“Gjendja e ujit momentalisht është katastrofë, patjetër duhet të na i sjellin motorët për pastrim te vendi ku është mbledhur uji dhe më pas duhet të pastrohen gypat. Jemi duke pritur nga kryetari i Qytetit Koce Trajanovski ai na ka thënë se do të na mbështes dhe tani Brenda tre-katër ditësh do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Nexhat Aliu, Ndërmarrja “Ujësjellësi”.
Banorët thonë se ky rajon gjithmonë ka pasur probleme me ujin e pijshëm, por që nga vërshimet ujin nuk mund ta përdorin për asgjë.
“Nuk është uji i pastër. Nuk e përdorim tani por as më herët nuk e kemi përdorë por tani aspak. Nuk pihet ky ujë, ky na vjen nga një ujësjellës nga Bilinbegov atje poshtë dhe kurrë nuk ka qenë i pastër, vetëm e kemi pasur ashtu kot”, tha një banor i Haraqinës, shkruan Alsat.
Që pas vërshimeve banorëve me ujë për pije po u dalin në ndihmë vetëm shoqata dhe kompani private duke dërguar në Haraçinë deri në 30 mijë litra ujë në ditë.