
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kërkuar transparencë rreth skandalit të përgjimeve, të publikuara nga gazeta online “Insajderi” rreth tre javë më parë, në të cilat është i përfshirë edhe ai gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2011.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Thaçi ka thënë se është e rëndësishme dhe me interes për shoqërinë që institucionet e drejtësisë të merren me këtë çështje, raporton Insajderi.
Thaçi, i cili është i përfshirë në serinë e katërt të “Dosjes së Shefave”, ka konfirmuar se autoritetet e drejtësisë “janë duke u marrë me këtë rast”.
“Unë mendoj se rreth kësaj çështjeje jam deklaruar edhe më herët por është me interes për shoqërinë, për institucionet, për drejtësinë, për të gjithë, që të ketë transparencë në gjithë këtë proces”, ka thënë presidenti i Kosovës.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/CaKHHAe5nRY” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Ish-kryetari i PDK-së ka thënë se në rast se në “Dosjen e Shefave” ka elemente të veprës penale, atëherë duhet të merret përgjegjësia morale dhe juridike nga personat që janë të përfshirë në këtë aferë.
“Është përgjegjësi edhe morale edhe politike, por edhe në të njëjtën kohë juridike nëse ka elemente. Por, ajo që mund të them është se ne duhet të punojmë të gjithë në moslinçimin e kundërshtarëve, por të punojmë të gjithë për transparencë, për përgjegjësi të lartë institucionale dhe në të njëjtën kohë të punojmë bashkërisht në përmbylljen e këtyre sfidave që i kemi para nesh”, ka thënë Thaçi.
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/5aA5fDkPNDo” mode=”normal” maxwidth=”680″]
Insajderi përmes një serie bisedash telefonike të përgjuara të Adem Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerë, ka dëshmuar se si këta njerëz e shtrijnë kontrollin dhe ndikimin e tyre mbi secilin institucion te Kosovës, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor e prokuorial, Policinë e Kosovës, universitetet dhe mediet. /Insajderi.com
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]