
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu i quan të inskenuara akuzat e PDK-së dhe të LDK-së ndaj Shpend Ahmetit, me qëllim që ta shpërqendrojnë vëmendjen nga skandali i përgjimeve dhe marrëveshjet, ajo për Demarkacionin dhe për “Zajednicën”.
Ai thotë se në Komunën e Prishtinës, e cila qeveriset nga Vetëvendosja, nuk ka pasur punësime “klandestine”.
Duke i konsideruar si shpifje dhe të pavërteta akuzat e partive opozitare për punësimin e 250 punëtorëve në Komunën e Prishtinës, nënkryetari i kësaj komune, Dardan Sejdiu, ka thënë se këto janë tentativa për t’iu shmangur vëmendjes nga afera “Pronto”.
Ai në një intervistë të dhënë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se këto parti në konsistencë janë duke bërë përpjekje për ta penguar dhe për ta sabotuar punën që po e bën Lëvizja Vetëvendosje me qeverisjen e saj në Komunën e Prishtinës.
Sejdiu ndër të tjera ka folur edhe për ardhjen e autobusëve të rinj në kryeqytet, duke thënë se deri në fund të këtij viti në kryeqytet do të vijnë 51 autobusët e rinj të cilët do të pajisen me GPS, ndërsa mbetet optimist se deri në fund të këtij mandati do të themelohet edhe Ligji për Kryeqytetin.