
Familjarët e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që u arrestuan dje, kanë mbajtur një konferencë për media. Me këtë rast ata kanë sqaruar edhe gjetjen e armëve në shtëpitë e tyrë gjatë bastisjes së djeshme të policisë.
Avni Dehari, babai i të arrestuarit Astrit Dehari, ka thënë se armët që janë gjetur dje në shtëpinë e tij janë armë që nuk janë përdorur që nga paslufta. Sipas tij, ato armë kanë qenë të konservuara. Ai ka thënë se do të kërkojë nga policia që t’ia kthejnë armën, për shkak se e ka kujtim nga djali.
Kurse Rilind Haliti, vëllai i Egzon Halitit, njëri prej të arrestuarve, ka thënë se policia ka hyrë dje në shtëpi për t’i bastisur dhe ua ka dorëzuar armën që e kishte kujtim nga baba.
Ai ka thënë se helmetat për motoçikletë që janë marrë nga policia si prova, janë personale të tij dhe jo të Egzonit.
Sipas tij, Egzoni nuk di ta ngasë fare motoçikletën.
Për më tepër, dje policia e Kosovës, gjatë bastisjes së katër lokacione të ndryshme, ka arrestuar gjashtë persona – aktivistë të Vetëvendosjes, nën dyshimin për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti./Insajderi.com