Guvernatori i Karolinës së Veriut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qytetin Sharllotë, për shkak të përleshjeve të rënda midis protestuesve dhe policisë.
Dhuna ka vazhduar për të dytën natë, pasi protestat mbi vrasjen e një afrikano-amerikani kanë dalë jashtë kontrollit.
Një protestues është në gjendje kritike, pas një incidenti me armë midis civilëve, thanë autoritetet e qytetit.
Protestuesit janë të zemëruar me vrasjen e Keith Lamont Scott, 43 vjeç, të martën nga policia.
Policia ka thënë se Scottit i është kërkuar disa herë të lëshojë armën e dorës përpara se është qëlluar, por familja e tij ka këmbëngulur se ai ka qenë i paarmatosur dhe duke lexuar libër në atë kohë. Dëshmitarët kanë thënë se ai i ka pasur duart lart.
Guvernatori i Karolinës së Veriut, Pat McCrory, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi protestuesit kanë sulmuar gazetarët dhe njerëz të tjerë, kanë thyer dritare dhe kanë vendosur zjarre të vogla.
Kryetarja e Sharllotës, Jennifer Roberts, apeloi për qetësi, duke thënë se Sharllota ka qenë gjithmonë vendi ku njerëzit mund të kenë dialog paqësor.
“Ne nuk jemi kështu”, tha ajo në një intervistë për televizionin CNN.
Protestuesit fillimisht kanë qenë të qetë, por më pas kanë nisur të hedhin shishe dhe fishekzjarre në drejtim të policëve, të cilët janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Forca vdekjeprurëse e policisë kundër afrikano-amerikanëve ka qenë shkak i protestave në gjithë SHBA-në, që dy vjet.
Një tjetër afrikano-amerikan, Terence Critcher, është vrarë nga policia në Tulsa të Oklahomas të premten.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka biseduar në telefon me kryetarët e Sharllotës dhe Tulsës.
Shtëpia e Bardhë tha se të tre liderët janë pajtuar se protestat duhet të jenë të qeta dhe se presidenti ka ofruar çdo ndihmë të nevojshme për të dyja qytetet.
Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, tha se vrasjet “janë të padurueshme dhe duhet të bëhen të patolerueshme”.
Kandidati republikan, Donald Trump, reagoi në Twitter, duke thënë se “situata në Tulsa dhe Sharllotë është tragjike”. “Duhet të bëhemi bashkë për ta bërë Amerikën të sigurt përsëri”, tha Trump.
Gazeta Washington Post ka raportuar për më shumë se 700 vrasje të të dyshuarve për vepra penale nga ana e policies këtë vit; 163 prej tyre kanë qenë afrikano-amerikanë.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për bojkotimin e bizneseve me pronarë të bardhë në Sharllotë.
Ata thonë se numri i madh i afrikano-amerikanëve të vrarë nga policia është simptomë e racizimit në Shtetet e Bashkuara. Po sipas tyre, afrikano-amerikanët përballen me mungesa të mëdha të vendeve të punës dhe të mundësive në arsim./rel/