Në aksionin e përmbysjes së kamionit me mallra serbe që ndodhi të mërkurën janë përfshirë 15 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës duke iu referuar dëshmisë së drejtuesit të kamionit.
Policia e Kosovës njofton se personat e dyshuar ia kanë bllokuar rrugën kamionit i cili ishte në lëvizje dhe vozitësit ia kanë marrë çelësat dhe të nijetin e kanë rrokullisur.
‘’Viktima mashkull K-Serb ka raportuar se derisa ishte duke lëvizur me kamion të llojit “Mercedes “ me targa të Serbisë prej pikës kufitare në Merdarë në drejtim të Prishtinës, në lokacionin e lart cekur 15 persona-të dyshuar të panjohur me pesë vetura, ia kanë bllokuar rrugën”, sqaron policia.
“Të dyshuarit nga viktima i kanë marrë çelësat e kamionit i cili ishte i ngarkuar me mallra të ndryshëm dhe të njëjtin e kanë rrokullisur dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar përderisa rasti është duke u hetuar’’, njofton policia.
Aksioni i Vetëvendosjes ishte bërë si përgjigjej ndaj Republikës së Serbisë, e cila ditë më parë ktheu për në Kosovë mbi 103.000 libra shqip, që ishin të dedikuara për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc./Insajderi.com