×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    A ishin edhe ato “sekret shtetëror”? Ministrja Hajdari s’i ka të deklaruara stolitë që iu vodhën

    Insajderi
    02 October 2023 - 11:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Përgjatë ditës u raportua se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ishte cak i një vjedhjeje mëngjesin e së hënës. Ministres Hajdari iu vodhën stoli në vlerë monetare prej rreth 2500 eurosh, si dhe kartela bankare, përfshirë këtu edhe të MINT-it. Megjithatë, ministrja Hajdari tek formulari i deklarimit të pasurisë, nuk figurojnë stolitë e vjedhura përkundër që është e obliguar me ligj ta bëjë një gjë të tillë.

    Sinjali gjatë ditës raportoi se vjedhja dyshohet se është kryer rreth orës 07:00 të mëngjesit, kur personi i dyshuar ishte futur në banesën e ministres dhe ua vuri syrin gjësendeve me vlerë e dokumenteve të Hajdarit.

    Sipas këtij raportimi, asaj iu vodhën stoli në vlerë prej 2500 eurosh dhe dokumente personale, që përfshijnë kartela bankare – përfshirë këtu edhe të MINT-it.

    Stolitë në fjalë, ministres s’i figurojnë në deklarimin e pasurisë përkundër që Ligji për Deklarimin e Pasurisë parasheh që të jenë publike.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në maj të këtij viti ka deklaruar në maj të këtij viti për Gazetën Insajderi se zyrtarët publikë janë të obliguar t’i deklarojnë stolitë e arit.

    “Bazuar në Ligjin i ri për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave me numër 08/L-108, paragrafin 1.9 të nenit 3, përkatësisht kapitulli i III, Neni 6 i Ligjit ka përcaktuar deklarimin e pasurisë, të ardhurave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare përcaktohen pasuritë që obligohet të deklarohen nga subjektet deklaruese, duke përfshirë stolitë”, u tha në përgjigjen e APK-së.

    Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, ministrja Hajdari u pati dënuar me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.

    Hajdari kishte pranuar paraprakisht fajësinë para gjykatës duke thënë se ishte krijuar konfuzion pasi ishte shtyrë afati për deklarim të pasurisë së zyrtarëve publikë.

    Për dënimin që i kishte pasuar ministres Hajdari, opozita pati kërkuar shkarkimin e saj.

    Ministrja Hajdari, deri më tani, nuk është deklaruar ende për vjedhjen që u raportua se ndodhi në banesën e saj. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark