×
  • Lajme
  • Insajderi

    A ishte i nevojshëm takimi ‘sekret’ i Gërvalles me palën palestineze?

    Insajderi
    10 April 2022 - 21:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në fillim të muajit mars mori pjesë në Forumin Demokratik që u mbajt në Antalya të Turqisë.

    Në kuadër të këtij forumi Gërvalla zhvilloi takime me shumë homolog të saj nga vende të ndryshme të botës, në mesin e të cilëve ishte edhe ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki.

    Për këtë takimi Gërvalla nuk e tha asnjë fjalë. Madje u cilësua si ‘takim sekret’.

    Ndonëse ajo nuk e tha asnjë fjalë, Ministria e Jashtme e Palestinës, përmes një postimi në Tëitter më datë 12 mars 2022 ku thuhej se ministri i jashtëm Al-Maliki ka sqaruar qëndrimin e shtetit të Palestinës për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën.

    Ai zbuloi madje që kanë diskutuar për ambasadën e Kosovës në Izrael që është e vendosur në Jerusalem.

    Jo pak herë evropianët do t’ia kërkonin Kosovës që të rishikonte vendimin për ta larguar ambasadën nga Jerusalemi, por qeveritë e kaluara do të rrinin karshi ShBA-ve që në kohën e Presidentit Donald Trump vendosi ambasadën në qytetin e shenjtë.

    Për këtë takim të Gërvallës kritika pati anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    “Ne si shtet i Pavarur dhe Sovran e kemi të drejtën të takojmë edhe vende që nuk na kanë njohur. Ne kemi marrëdhënie të mira diplomatike me Greqinë kemi pasur vizita edhe në Sllovaki, Rumani, Qipro do të thoja që nuk që nuk kemi marrëdhënie të mira ose diplomatike me vendet të cilat  edhe nuk na kanë njohur dhe nuk është që ne e kemi një beng që nuk duhet të takohemi me vendet me shtet të cilat nuk e kanë njohur Republikës së Kosovës duhet të kemi takime mirëpo unë do të thoja që me vendet siç është Palestina që ka qenë lobuese për Serbinë në vazhdimësi, keni parë edhe ambasadorin e Palestinë në Beograd i cili ka qenë vazhdimisht kundër Republikës së Kosovës kundër Pavarësisë do të thoja që me këto vende do të duhej të ketë një kujdes të veçantë kur kemi takime bilelaterale”, ka thënë ajo.

    “Ne nuk kemi parë asnjë prononcim, me qëllim nuk kam reaguar që 24h sepse kam pasur dëshirë të di se çka ka MPJD për të thënë dhe ne kemi parë që nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare nga MPJ e kemi vetëm një prononcim dhe thotë që e kemi pasur takim në mirëbesim, mirëpo ai takim në mirëbesim del të jetë më shumë qortuese se sa bashkëpunues dhe tani unë e kam thënë edhe në rrjetet e mija sociale që ne duhet ta dimë se çka ka fol ministrja në këtë takim, pasi që më nuk është sekret s’është diplomaci e heshtur duhet të dimë se cili është qëndrimi i saj karshi hapjes së ambasadës së Izrael dhe krejt kjo çka unë e shoh nuk është krejt koincidencë e rastësishme sepse është bërë pikërisht kur ambasadori  i Izraelit në Kosovë ka marrë kredenciale ka pasur takime me presidenten, kryeministrin me kryetarin e Kuvendit”, ka thënë ajo.

    Për këtë takim të Gërvalles disa fjalë pati edhe nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi teksa pati edhe një porosi për Qeverinë Kurti.  

    “Unë nuk e di pse nuk është raportuar ose pse është fshehur ky takim po ashtu nuk e di qysh është zhvilluar kjo ngjarje në kuptimin se si ka ardhur deri tek një takim i tillë. Unë  mendoj ajo çka është e rëndësishme për qeverinë ta bëjë jo vetëm në këtë rast por edhe të tjera të koordinohet ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë e sidomos me SHBA-të, unë e di që në disa raste psh kur synojmë anëtarësimin nëpër organizata të huaja lobimi nëpër vendet të cilat janë pjesë e një organizate është i rëndësishëm mirëpo në këtë rast nuk është se kam shumë njohur por ajo çka dua të them është që duhet të jemi të kujdesshëm dhe të veprojmë duke e bashkërenduar aktivitetet tona me partnerët tonë sidomos SHBA-të”, tha ajo.

    Për takimin e Gërvalles me ministrin palestinez Al-Maliki ka folur edhe ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan. Ai ka thënë se pozicioni i Palestinës në raport me njohjen e shtetit të Kosovës nuk ndryshon, duke shtuar se takimi Gërvalla – Al-Maliki, “nuk do të thotë asgjë”.

    “Fakti se ministri [palestinez] u takua në margjinat e një takimi në Turqi nuk do të thotë asgjë për ne, dhe nuk ndryshon asnjë qëndrim”, ka thënë Mohamed Nabhan.

    InDoks | Asgjë e mirë nga fronti i Gërvallës:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark