×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    A kishte licencë logopedi që dyshohet se keqtrajtoi 4 vjeçaren? – Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

    Insajderi
    16 August 2023 - 10:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në ordinancën “Logomedicus”, një vajzë 4 vjeçare me aftësi të kufizuara po dyshohet se u keqtrajtua nga logopedi Besart Sokoli. Sokoli u arrestua nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës, përkatësisht që i ka shkulur flokët e lënduar hundën duke ia gjakosur. Ndaj të njëjtit janë duke u zhvilluar hetimet.

    Sokoli ka 3 vite që ka marrë licencën për të ushtruar këtë profesion, kanë konfirmuar nga MSH për Insajderin. Ndërkohë, deklaruan se vetëm pas inspektimit do të merret një vendim ndaj të dyshuarit.

    Sipas Inspektoratit Shëndetësor, pas përfundimit të inspektimit do të dilet me një raport rreth të gjeturave”, kanë thënë në përgjigje për Insajderin nga Msh.

    “Logomedicus” ka licencë të funksionojë deri në vitin 2027.

    Logopedi, z. Sokoli ​është i licencuar në vitin 2020. Ambulancë e Logopedisë “LOGOMEDICUS” në Podujevë është licencuar nga MSh. Ordinanca është licencuar me datën 20.09.2022 dhe është valide deri me datën 19.09.2027”, kanë bërë më dije nga ministria.

    Për keqtrajtimin që po dyshohet se iu bë 4 vjeçares për Insajderin u deklaruan edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja, Laureta Ulaj tha se ndaj të dyshuarit tashmë është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh teksa pritet të ndërmerren veprimet tjera ligjore.

    Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore. Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Policinë”, tha ajo për Insajderi.

    Vajza siç konfirmoi babai i saj për Insajderin kishte filluar të shkonte në seanca në klinikën “Logomedicus” që nga 30 qershori i këtij viti.

    Deri në gjashtë ditët e para gjithçka po shkonte mirë, më pas N.I kishte nisur të refuzonte dhe të qante sa herë merrte rrugën për tek logopedi.

    Babai i viktimës ekskluzivisht në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhune në trupin e fëmijës të tij ishin vërejtur në fund të javës së kaluar.

    Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, e ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë më pas ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune por nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjetë çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjak në hundë dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës, ai i ka thënë ‘kam ushtru presion ma shumë se që duhet’”, ka thënë R.S.

    Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.

    “Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky lloj presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal, e pyetja a ia bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici. Vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares. Tutje, ai ka treguar se personalisht nuk është në gjendje të mirë që nga dita e shtunë.

    Gjatë dhënies së deklaratës në stacionin policor, Sokoli e ka pranuar se ia ka shkulur flokët vajzës derisa ka qenë duke e trajtuar.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark