×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    A po e bën qëllimisht? Bislimi s’i përmend sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, vetëm liberalizimin e vizave, targat dhe rrymën

    Insajderi
    01 January 2024 - 13:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po harron t’i përmend sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, ndonëse është detyrë e tij lobimi diplomatik për largimin e tyre. Bislimi pas liberalizimit të vizave e ka përmendur këtë të fundit si arritje, marrëveshjen e energjisë me Elektroseverin dhe lejimin e targave RKS në territorin e Serbisë.

    Bislimi, me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka thënë se në 1 janar në Kosovë po ndodhin tri procese të reja, ka kërkuar nga qytetarët ta respektojnë udhëzimet për lëvizje të lirë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Lëvizja e lirë pa viza filloi e qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga kjo e drejtë e fituar me mund. Me rëndësi është të rikujtojmë se ajo duhet të shfrytëzohet pozitivisht, e jo të keqpërdoret. Ka rregulla brenda lirisë për të udhëtuar të cilat duhen respektuar e trajtuar me përgjegjësi”, ka shkruar ai.

    “Nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave. Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme”, vijon numri dy i Qeverisë.

    “Gjithashtu, Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

    Bislimi ka përmendur vetëm anën positive të diplomacisë. Ai s’ka përmendur faktin se si Kosova vitin që shkoi s’mori asnjë njohje. Po ashtu, ai harroi të përmendte edhe bllokun e sanksioneve të BE-së drejtuar Kosovës, të cilat janë ende në fuqi. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark