×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    A po mbetet “ëndërr” Parkingu nëntokësor për llapjanët? Tash e një vit procedurat e projektit po dështojnë

    Insajderi
    25 June 2024 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në maj të 2023-tës ishte njoftuar se kanë filluar procedurat për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Podujevë. Por tash e një vit, procedurat e prokurimit vetëm po dështojnë. Nga Komuna thanë për Insajderin se Operatorët Ekonomik nuk po i plotësojnë kushtet e projektit.

    Gazeta Insajderi

    Lokacioni për ndërtimin e parkingut nëntokësor në Podujevë është në qendër të qytetit, konkretisht, përballë objektit të komunës së Podujevës (Sheshi “Ali Ajeti”).

    Me 8 maj 2023, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte njoftuar se kanë filluar proceduar për ndërtimin e parkingut nëntokësor.

    Shuma për këtë projekt pritet të jetë rreth 3 milionë euro dhe do të ketë kapacitet me mbi 250 vend parkingje.

    Mirëpo, që nga maji i vitit të kaluar, e deri tani, projekti për ndërtimin e parkingut nëntokësor, është duke u anuluar qe tri herë

    Me 21.06.2023 u njoftua për anulimin e aktivitetit të prokurimit. Në njoftim thuhej edhe arsye pse ishte anuluar.

    Aty thuhet se një shkelje e LPP ka ndodhur e cila nuk mund të rregullohet, duke vazhduar tutje se të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit.

    “Një shkelje e LPP-se ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit; një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; Vetëm një ofertues të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në mase substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit; [para hapjes së tenderëve] Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe. Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, thuhet në dokument.

    Me datën katër janar 2024, sërish komuna e Podujevës ka njoftuar për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

    Kësaj radhe në arsyen e komunës thuhet se gjithsej dy ofertuesit që kanë aplikuar për këtë tender kanë bërë shkelje në projektin ideor apo konceptual.

    “Gjithësej kanë ofertuar dy OE: Konsorciumi: “Jaha Company” & “Plaza” Prishtinë dhe Konsorciumi: “ABC” & “Premium Bau” Prishtinë. Studimi i fizibilitetit për parking nëntokësor do të ketë një sipërfaqe prej 9780m2 për etazh. Objekti ka etazhet B-1 Dhe B-2 me kapacitet 240 vendparkingje. Në etazhin B-1 parashihen të alokohen 978m 2 për destinim të lokaleve. Sipas studimit të fizibilitetit rekomandohen që të bëhen zgjidhje ku një pjesë të këtyre lokaleve të jenë pjesërisht mbi tokë në atë masë që të depërton drita natyrale. Të dy ofertuesit kanë bërë shkelje në projektin ideor apo konceptual duke vendosur sipërfaqen prej 978m2 të dedikuar për lokale afariste mbi sipërfaqen e tokës në lartësi mbi 4.0m duke mos respektuar kriteret e vlersimit të cilat burojnë nga fizibiliteti i aprovuar dhe miratuar nga PPP”, thuhet në dokument.

    Nuk ka mbetur me kaq, komuna e Podujevës për të tretën herë nuk ka arritur të nënshkruajë kontratë për projektin “Ndërtimi i parkingut nëntokësor”.

    Me datën 20 qershor, është njoftuar sërish për anulim të aktivitetit të prokurimit.

    Në arsyen e anulimit thuhet se dy kompanitë ofertuese nuk i kanë plotësuar kushtet e tenderit.

    “Gjithësej kanë ofertuar dy OE: “Berisha Group” Sh.P.K dhe NNT “Bini” ShPK. Komisioni në përbërje të plotë pas ekzaminimit dhe vlerësimit të të gjitha dosjeve të Ofertuesve te kualifikuar konstatoi se OE: NNT “BINI” SHPK & BERISHA BERISHA GROUP nuk i ploteson kushtet e kërkuara për propozim dhe shpërblim ne projektin: PPP-Ndërtimi i parkingut nëntokësor për këto arsye: 1.NNT “BINI” SHPK nuk e plotëson as edhe një kriter nga dosja e Autoritetit Kontraktues : Kriteret ligjore pesha 30% ( i mungon sigurimi i tenderit ne vlere 85,000.0), Kriteret teknike pesha 20% (plani i hollësishëm i biznesit) dhe Kriteret Financiare pesha 50% tarifa e koncensionit jo më pak se 5%. Kurse OE BINI SHPK ka ofruar tarifën e koncesionit 4%. 2. BERISHA GROUP i plotëson kushtet e tenderit, mirëpo projekti konceptual nuk është ne harmoni me studimin e fizibilitetit, sipas studimit te fizibilitetit hapësira e dedikuar per afarizëm është 978m si hapësire e vetme për afarizëm e jo me hapësira tjera për qarkullim dhe komunikim si në projektin konceptual te ofruar nga Ofertuesi BERISHA GROUP”, thuhet në dokumentin e anulimit të këtij projekti.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Podujevës, i cili tha se arsyeja e krejt kësaj është sepse Operatorët Ekonomik që kanë aplikuar, nuk i kanë plotësuar kushtet.

    “Së pari tua të sqaroj se Ndërtimi i parkingut nëntokësor në Podujevë është planifikuar të bëhet me partneritet publiko-privat. Komuna e Podujevës i ka zhvilluar të gjitha procedurat si dhe ka marrë leje nga Këshilli ndër-ministror për realizimin e këtij projekti. Arsyeja pse ende nuk është lidhur kontrata për realizimin e këtij projekti është sepse Operatorët Ekonomikë që kanë aplikuar nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e tenderit, kanë mungesë dokumentacioni apo mungesë të informacioneve të kërkuara. Së fundmi para pak ditësh është anuluar përsëri zhvillimi i aktivitetit për ndërtimin e parkingut nëntokësor“, tha zëdhënësi për media në komunën e Podujevës, Fatri Zhitia.

    Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark