×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    A shfrytëzuan rrugët ilegale? MPJ-ja thotë se s’pranoi kërkesë për vizitë nga deputetët serbë të Kuvendit të Serbisë që u panë dje në veri

    Insajderi
    21 June 2023 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aleksandar Jovanoviq, Danijela Nestoroviq dhe Miroslav Aleksiq, tre deputetë të Kuvendit të Serbisë, dje u lajmëruan nga Mitrovica e Veriut për mediat serbe për një sulm me shok-bombë nga serbët lokalë. Mirëpo, s’u njoftua asnjëherë për mënyrën se si ata depërtuan në territorin e Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) bënë të ditur se s’kanë marrë kërkesë nga tre deputetët e përmendur serbë për vizitë në Kosovë. Gazeta Insajderi ju sjell detaje më poshtë:

    Insajderi është interesuar për mënyrën se si Jovanoviq, Nestoroviq dhe Aleksiq përfunduan duke drekuar në një restorant të Mitrovicës së Veriut. Për këtë, u kontaktua MPJD-ja, të cilët thanë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar kërkesë nga personat e apostrofuar për t’u futur brenda vendit.

    Ju konfirmojmë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, nuk ka pranuar asnjë kërkesë për lejim të vizitës në Republikën e Kosovës për personat në fjalë“, thuhet në përgjigjen e dhënë nga MPJD-ja për mediumin.

    Të tre deputetët që i takojnë opozitës në Kuvendin e Serbisë gjatë ditës së djeshme u sulmuan me shok-bomba, sipas raportimeve të medieve serbe.

    Çdoherë sipas këtyre raportimeve, ata vizituan serbët në Kosovë për “t’i përkrahur serbët”.

    Tre deputetët opozitarë serbë të Kuvendit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut – 20 qershor 2023

    Derisa serbët po hyjnë e po dalin nga territori i Republikës së Kosovës pa kërkesë tek autoritetet kosovare, tre policë kosovarë po vazhdojnë të mbahen në paraburgim nga autoritetet serbe.

    Shemsi Mustafa, Beqir Sefa dhe Rifat Zeka një javë më parë u kidnapuan nga forcat serbe nën pretendimin se po qëndronin 1.8 kilometra distancë nga vija kufitare dhe përbrenda territorit të Serbisë.

    Për këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë publikuar ditëve të fundit prova që thonë se ishin forcat serbe që u futën në Kosovë për t’i kidnapuar tre policët.

    Kurti në vazhdimësi ka insistuar që kidnapimi i policëve kosovarë është bërë nga Njësiti Special Anti-Terrorist i Serbisë dhe Njësiti “Kobra”.

    “Rrëmbimi është bërë nga Njësiti Special Anti-Terrorist, dhe njësiti “Kobra”. Ata që pretendojnë që ata janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si prangat janë gjetur 1 km larg kufirit me Serbinë. Vendngjarja ka ndodhur në Kosovë, s’bëhet fjalë për arrestim në Serbi por për rrëmbim në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri Kurti dje.

    Në anën tjetër, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Insajderi lidhur me gjendjen shëndetësore të Shem Mustafës. Kryediplomatja kosovare ka bërë të ditur se policit Mustafa po i mungojnë medikamentet e nevojshme në burg në Kralevë për trajtimin e astmës.

    Përveç tre policëve, Serbia ka arrestuar edhe tre qytetarë të Kosovës pa ndonjë njoftim nëpër ndalesa kufitare. Të njëjtit janë liruar më vonë.

    Në burgjet e Serbisë tash e gati katër vite po mbahet Nezir Mehmetaj.

    Ndonëse gjykimi ndaj tij ishte në përfundim, lajmi i fundit është se atij i është rikthyer lënda nga fillimi. Raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë së fundmi kanë bërë që të ulet niveli i sigurisë për kosovarët që po arrestohen e po mbahen në burgjet e Serbisë.

    Së fundi, vëllai i tij, Agron Mehmetaj ka folur për Gazetën Insajderi duke treguar se atij i është kthyer lënda prej fillimit.

    Mehmetaj thotë se arsyeja është sepse i është ndërruar gjykatësi dhe për këtë prokurori ka kërkuar që të vazhdojë nga fillimi.

    “Arsye është sepse i është ndërruar gjykatësi e tash prokurori ka kërkuar që të vazhdojë çdo gjë nga fillimi sepse si kanë shkuar punët ashtu siç ka pas dëshirë ai sepse s’ka pas asnjë mundësi të vetme që ta gjejë një fakt për ta dënuar apo të kapet diku qe t’i kryej punë”, ka thënë ai për Gazetën Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark