Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Istog ka komentuar aderimin e asambleistës së kësaj partie në VV, duke e quajtur një pazar të pandershëm.
Sipas tyre, ish deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës që kaloi në VV, tash ka marrë në këtë parti edhe kunatën e saj.
“Sot paska kalu në VV edhe kunata, nga Istogu, e Donikës! Pas largimit të Ilir Dedës, VV-ja qenka forcuar ‘tmerrshëm’. Dega e AAK-së nē Istog, nuk shqetësohet pse pazaret e pandershme politike, që filluan me Donikën, po ‘shpërrallohen’ e po marrin epilog edhe me dofarë kunatash e familjarësh të saj”, thuhet në reagimin e AAK-së së Istogut.
AAK-ja ka thënë se përkundër kalimit të kunatës së Kadaj-Bujupit në VV, AAK-së po i bashkohen me dhjetëra anëtarë të rinj përditë, dhe kjo është fuqia e tyre edhe në Istog.
Në fund AAK e ka përfunduar komunikatën me një thënie popullore.
“Në popull thonë, ‘është rrokullis tenxherja dhe e ka gjet kapakun’. Ky është shpjegimi ynë për kunatat ‘Bujupi’”, thuhet në reagimin e AAK-së./Insajderi.com