Kur kanë mbetur një javë deri në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka publikuar programin e plotë për mandatin qeverisës 2021-2025.
AAK-ja, prioritet në programin e saj i ka dhënë edhe sektorit të energjisë në Kosovë, shkruan Insajderi.
Në bazë të nevojave të Kosovës, AAK në programin e saj ka vlerësuar se niveli i rritjes së kërkesës për rrymë mund të zvogëlohet përmes investimeve në rrjet dhe efiçiencë të energjisë, krahas shtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në vend.
Në këtë program, AAK-ja ka parashikuar ndërtimin e dy termocentraleve në vend, ku njëri do të jetë në Rrafshin e Dukagjinit.
“Ne do t’i ndërtojmë dy termocentrale për të siguruar furnizimin bazë me energji elektrike; Termocentrali Kosova e Re me kapacitet 300 Megavat për orë, do të ndërtohet në infrastrukturën ekzistuese të KEK-ut (Kosova B) në komunën e Obiliqit. Termocentrali me gaz, me kapacitet 300 Megavat për orë, do të ndërtohet në Rrafshin e Dukagjinit. Kështu do t’i kemi 5256 GWh në vit”, thuhet në programin e AAK-së.
Ndërsa po vijon zbatimi i projektit për zëvendësimin e elektrofiltrave të termocentralit Kosova B për të mundësuar edhe 20 vite operim të këtij termocentrali, në program të AAK-së është nënvizuar se ky termocentral do të ndërtohet në strukturën ekzistuese të KEK-ut (Kosova B) në Komunën e Obiliqt.
Me dy termocentrale, AAK vlerëson se Kosovës do t’i shtohen 600 megavat orë kapacitete të prodhimit të rrymës dhe 5256 gigavat orë energji elektrike të prodhuara në vit.
Përveç dy termocentraleve, AAK në këtë program synon edhe arritjen e tavaneve të përcaktuara në pajtim me standardet e BE-së për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme të energjisë.
Në këtë program qeverisës të AAK-së, është paraparë edhe instalimi i ngrojes qëndrore për katër komunat e mëdha të Kosovës, Pejën, Prizrenin, Ferizajn dhe Gjilanin.
“Do të ndërtohen edhe katër sisteme në qendrat e mbetura rajonale – Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. 154 milionë euro (kombinim mes granteve, kredive dhe financimit vetanak nga korniza për investime për BP, Banka Evropiane për Investim, dhe BERZh-i), janë të ndara për këtë projekt, ndërsa ai është në përgatitje e sipër”, thuhet në programin e AAK-së.
AAK po ashtu ka planfinikuar që ta shtrijë rrjetin e gazit në 7 rajone të Kosovës, ku do të lidhen me dy pika në rajon.
Për të mundësuar këtë, AAK ka planifikuar që fillimisht të zhvillojë master planin për lidhje në rrjetet e gazit në rajon dhe shtrirje të infrastrukturës së paku në shtatë qendra të Kosovës. Insajderi.org