×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku: Kjo ringritje e madhe e jona nuk është e plotë pa fitoren e Istogut

    Insajderi
    12 November 2021 - 17:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Istogun vend në të cilin zyrtarisht e ka përmbyll fushatën zgjedhore për balotazhin e 14 nëntorit. LDK synon të udhëheqë këtë komunë me Ilir Feratin. Në tubimin e fundit për këto zgjedhje lokale, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ftuar qytetarët e komunës së Istogut që të votojnë kandidatin e kësaj partie duke thënë se ringritja e LDK-së nuk ka kuptim pa fitoren e Istogut.

    Sipas Abdixhikut, qytetarët tashmë e kanë ndarë mendjen dhe do të përkrahin Ilir Feratin të dielën më 14 nëntor.

    “Në Istog në qytetin e bukur të Dukagjinit, në vendlindjen e prijësit të shqiptarëve, themeluesit të LDK-së, presidentit historik, arkitektit të Republikës së Kosovës, presidentit, doktor Ibrahim Rugova. Dhe të dashur banorë, qytetarë, veprimtarë të Istogut, kjo ringritje e madhe e jona nuk është e plotë pa fitoren e madhe të Istogut, e siç po ju shoh sot këtu kaq shumë, kaq në masë, mendja që e ka nda Istogu mbetet e Lidhjes me Ilir Feratin kryetar”, ka thënë Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së ka thënë se këto zgjedhje nuk janë të zakonshme por sipas tij përcaktojnë rrugën dhe fuqinë e rikthimit të madh të kësaj partie.

    “Mbani mend nuk janë zgjedhje të rëndomta e cikle të zakonshme por është një çast ku përcaktohet qarta rruga dhe fuqia e rikthimit të madh të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Andaj ju bëj thirrje secilit nga ju që të mobilizoheni, të punoni fort dhe siç po shkruan në atë tabelë aty 160 me zero, më 14 nëntor 160 me zero për Ilirin e Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK është shtëpia juaj politike, mbrojeni e ngriteni lartësojeni në triumfe të reja që na presin përpara”, ka thënë kryetari I LDK-së.

    Para përkrahësve të kësaj partie ka folur kandidati për kryetar të Istogut, Ilir Ferati duke thënë se do të qeverisin së bashku me secilin qytetar.

    “Vizioni e plani ynë është i bazuar në argumente, në fakte kokëforta e mbi të gjitha është i bazuar në paktin tonë të mirëbesimit me qytetari ne Istogut, ne jemi dhe do të vazhdojmë të mbesim istogasit e Ibrahim Rugovës. E kam thënë edhe më parë që kjo garë tanimë është mbi individët, mbi partitë politike, kjo garë tani është për Istogun qytet të vlerave, për Istogun e urtë e mençur, për Istogun e të gjithëve dhe për të gjithë pa dallim. Prandaj kjo garë do të fitohet nga ne, istogasit dhe assesi mendësi tjera që nuk përfaqësojnë vlerat tona”, ka thënë Ferati.

    Ai ka thënë se ekipi i tij përbehet nga njerëz profesionistë dhe se plani për Istogun është hartuar bashkë me qytetarët që sipas tij është i vetmi që adreson kërkesat e banorëve të kësaj komune.

    “Sot po kërkoj besimin tuaj si njëri i Istogut që ka lind e që është rrit bashkë këtu me ju, askush më mirë se ne nuk i di hallet e problemet tona, askush më mirë se ne nuk e njeh Istogun, e çka është me rëndësishmja askush më shumë se ne nuk e do Istogun. Prandaj le të bëhemi e të vazhdojmë të jemi bashkë për ti ruajtur vlerat tonë, për ta zhvilluar qytetin dhe komunën tonë, le të bëhemi bashkë për Istogun qytet të të gjithëve e për të gjithë pa dallim”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut.

    Komuna e Istogut është një prej 6 komunave në të cilat ka shkuar në balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në Istog më 14 nëntor qytetarët do të zgjedhin në mes të kandidatit të LDK-së Ilir Feratit dhe Bekë Berishës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Kosova ka mbajtur zgjedhjet e rregullta lokale më 17 tetor ku 21 komuna kanë shkuar në balotazh.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark