Insajderi
Lajme

Abdixhiku para takimit me Kurtin: S’ka asnjë arsye të vonohet konstituimi i Kuvendit, LDK nuk nënshtrohet

Insajderi
07 August 2026 - 13:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Abdixhiku para takimit me Kurtin: S’ka asnjë arsye të vonohet konstituimi i Kuvendit, LDK nuk nënshtrohet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa.

Para takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se fokusi i LDK-së mbetet përmbushja e obligimeve kushtetuese.

“Do të vazhdojmë me punët tona që duhet të bëjmë që të konstituohet Kuvendi. Nuk ka asnjë arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit. Po më lejoni të shkoj në takim, e pas takimit do të deklarohem”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku u përgjigj shkurt se ajo lidhet “…për konstituimin e Kuvendit”.

Ndërsa, në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstituive, kreu i LDK-së theksoi se seanca duhet të mbahet pa asnjë vonesë.

“Duhet të ketë seancë konstitutive. Duhet të ketë seancë konstitutive. Nuk ka nevojë të vonohet me konstituimin e Kuvendit. Duhet të votohet kryetari i Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit. LDK-ja as ka kërkuar, as kërkon që të bëhet ose të ketë vonesa të tilla”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se përgjegjësia për mbarëvajtjen e procesit i takon edhe partisë së parë, duke lënë të kuptohet se çdo vonesë eventuale nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime negociuese.

“Por tani, kjo është përgjegjësi edhe e partisë së parë, e cila qëllon që ka më të vjetrin në seancë aty, të ulur në karrigen e kryesuesit të Kuvendit. Por në qoftë se është bërë për taktikë negociuese, le ta themi shumë qartë: LDK-ja nuk nënshtrohet e Republika nuk dorëzohet. Prandaj, as nuk nënshtrohemi, as nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku bëri të ditur se pas përfundimit të takimit me Kurtin do të dalë sërish para mediave për të dhënë qëndrimin e tij.

“Tani po shkoj në takim, e pas takimit do të përpiqemi sa më mirë të përfaqësojmë interesat e Kosovës, popullit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas takimit deklarohemi edhe para medieve në Kuvendin e Kosovës”, tha Abdixhiku.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark