Insajderi
Lajme

Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Në Kuvend nuk ka shumicë, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme

Insajderi
31 October 2025 - 14:54
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Në Kuvend nuk ka shumicë, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi ndodhet në një situatë pa shumicë parlamentare dhe se, sipas tij, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja.

Në një postim pas takimit të thirrur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, Abdixhiku tha se qëndrimi i LDK-së është vërtetuar si i saktë — – se në Kosovë nuk ekziston shumicë parlamentare funksionale.

“Qëndrimi e konstatimi i LDK-së se në Kosovë, sipas rezultatit të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare, del të jetë qëndrimi i vetëm i vërtetë. Ndonëse na u humbën 8 muaj kohë për të kuptuar këtë gjë, ja ku jemi sërish në vendin e njëjtë,” u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se në takim u diskutua për një tranzicion qeverisës dhe unitet politik, ashtu siç LDK kishte propozuar më herët me “Qeverinë e Unitetit” dhe planin 15-pikësh. Megjithatë, sipas tij, këto propozime nuk ishin marrë parasysh në kohën e duhur.

“Fatkeqësisht ky propozim, vizion e drejtim ishte përqeshur e hedhur poshtë. Sot jemi vonë. Vonë për të humbur ditë të tjera duke mos pasur guxim politik për të qenë të vërtetë me veten dhe popullin e Kosovës,” shtoi ai.

Abdixhiku theksoi se askush nuk po arrin të sigurojë shumicën në Kuvend, ndërsa afatet kushtetuese po kalojnë pa kthim.

“Fatkeqësisht, shkuarja në zgjedhje të reja mbetet alternativa e vetme,” shkroi ai, duke shtuar se LDK pret që të respektohet qëndrimi i partive dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark