Insajderi
Lajme

Abdixhiku reagon ashpër për ndarjen e 100 eurove: Pako e tentimit për blerje vote, populli i Kosovës nuk blihet

Insajderi
22 May 2026 - 10:21
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Abdixhiku reagon ashpër për ndarjen e 100 eurove: Pako e tentimit për blerje vote, populli i Kosovës nuk blihet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj masave të fundit financiare të qeverisë aktuale, duke i cilësuar ato si një tentativë të hapur për blerje votash në prag të zgjedhjeve.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Abdixhiku ka akuzuar ekzekutivin për mungesë idesh e projektesh, duke thënë se pushteti po përdor çdo mjet të mundshëm, përfshirë propagandën dhe krizat e njëpasnjëshme, vetëm për të qëndruar në fron.

Sipas liderit të LDK-së, ndihmat e ndara rishtazi nuk kanë të bëjnë me zbutjen e krizës ekonomike, por janë një përpjekje e vonuar për të fshehur dështimet qeverisëse përmes parave të vetë qytetarëve.

“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë prerazi se dinjiteti i qytetarëve nuk mund të tjetërsohet me benefite afatshkurtra elektorale, duke shtuar se “Populli i Kosovës nuk blihet” dhe se “e ardhmja e tyre nuk është në shitje”.

Kandidati i LDK-së për kryeministër ka prezantuar vizionin e tij për një qeverisje ndryshe, ku mirëqenia e qytetarëve nuk shihet si “favor” që shpërndahet vetëm gjatë fushatave, por si politikë e përhershme shtetërore.

Sipas tij, Kosovës i duhet urgjentisht një kapitull i ri politik ku: Politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag të zgjedhjeve, pagat e dinjitetshme dhe mbështetja për familjet janë detyrim i Republikës. dhe zhvillimi ekonomik dhe investimet e mëdha janë të vazhdueshme.

“Kosovës i duhet një kapitull i ri… Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranon të jetë në fund të Evropës!”, ka shkruar Abdixhiku.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark