Lumir Abdixhiku, kandidat për deputet nga radhët e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se fryma ideologjike e rugovizmit nuk mund të bartet tek një parti me bindje ideologjike të majta, sikundër është Lëvizja Vetëvendosje.
Abdixhiku këto deklarata i ka bërë në emisionin ‘Pressing’, teksa ka vlerësuar se deklarimet që VV-ja e përfaqëson rugovizmin është oksimoron.
“Të flasësh për rugovizmin brenda VV është oksimoron. S’mund të ketë LDK. LDK-ja nuk mund të jetë nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje, është kundërthënie”, deklaroi Abdixhiku.
“Do të isha shumë i lumtur nëse partitë e tjera do ta bartnin bindjen e rugovizmit, do të më linin pa punë”, potencoi tutje ish-Ministri i Infrastrukturës.
Ai ka komentuar edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët thotë se përbëhet nga elemente nga të gjitha rrymat ideologjike.
“shumë i lumtur që s’kanë probleme ideologjike përbrenda LDK-së. Ideologjia është e dhënë aty, është ideologji e majtë, e përzime me një nacionalizëm të theksuar. Ka një tendencë interesante tek Vetëvendosja, për krijimin e disa mijë partive përbrenda një lëvizje. Ka një element të PDK të mirëthemeluar të kahmotshme, demokristian, islamista, anarkista, gjithçka. Dhe më pas, ka një ombrellë që i bën bashkë të gjithë”, vlerësoi ai.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka deklaruar vazhdimisht se bajraktarin e rugovizmit e atë e bart ajo, e jo LDK-ja.