Abelard Tahiri në Gjykatë, po jep dëshmi në cilësinë e dëshmitarit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Abelard Tahiri në Gjykatë, po jep dëshmi në cilësinë e dëshmitarit

    Insajderi
    23 November 2022 - 12:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së është duke dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në rastin ku po akuzohen për korrupsion Bajram Hasani, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqi, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begaj, ish-kryetar i Komunës së Malishevës dhe nënkryetari i kësaj komunë, Hajdin Berisha.

    Bashkë më ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjorë të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

    Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

    Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

    Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

    Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

    Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qira pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

    Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

    Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark