×
Show / Fashion

Abuzimet në kopsht: identifikimi dhe parandalimi

Insajderi
07 March 2019 - 13:48
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Abuzimi ( bulizmi) është një fenomen që fillon qysh herët në jetën e qenieve njerëzore. Të dhënat shkencore sugjerojnë që bullizmi i ka rrënjët qysh në fëmijërinë e hershme, dhe studime të shumta e kanë evidentuar atë të ndodhë midis fëmijëve të kopshteve gjithashtu. Disa edukatore e prindër mund të dyshojnë ende në vërtetësinë e kësaj të dhëne, duke menduar se fëmijët e vegjël nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe shfaqin një sjellje të tillë. Bazuar në shumë studime të kohëve të fundit, nga shumë vende të botës, rezulton se fëmijët nuk ka nevojë të kuptojnë këtë sjellje që ta shfaqin atë. Ata thjeshtë kanë nevojë të kuptojnë që kjo sjellje është shpërblyese.

Në fëmijët e kopshteve hasen fëmijët agresorë (që ushtrojnë bullizmin), ata që janë viktima pasive të bullizmit, fëmijët që janë viktima agresive, fëmijë ndihmë të fëmijëve agresorë dhe fëmijët dëshmitarë të bullizmit. Pasojat e bullizmit në fëmijët e moshave të kopshtit përfshijnë simptomat psikosomatike (stres, dhimbje koke, frikë për të shkuar në kopsht dhe simptoma depresive) dhe refuzimin nga moshatarët (që mund të marrë forma dhe shkallë të ndryshme) i cili mund të ketë pasoja afatgjata gjatë jetës adulte. Për të luftuar bullizmin në këto grupmosha, rekomandohet ndërgjegjësimi lidhur me format e dukshme indirekte, të fshehura dhe ambige të bullizmit, të cilat gjithashtu ndodhin në kopsht; dallimin e simptomave ose treguesve të bullizmit, dëgjimin e fëmijës kur flet për ditë jo të mira në kopsht dhe për gjërat e mira dhe të këqija që ndodhin në kopsht, të mësohen fëmijët që të thonë jo, përdorimi i lojërave apo aktiviteteve integruese për fëmijët, inkurajimi i fëmijëve dëshmitarë të bullizmit që të ndërhyjnë për t’u thënë ndal agresorëve ose për të lajmëruara edukatoret, shëndeti.com

Edukatoret duhet të dallojnë bullizmin nga konfliktet tipike të çastit mes fëmijëve, duke përfshirë dhe format e fshehura të bullizmit në fëmijët e kopshtit, si dhe duhet të luajnë një rol aktiv duke ndërhyrë herët për të ndaluar bullizmin, duke i treguar fëmijës cilat janë sjelljet e pranueshme dhe cilat janë sjelljet e papranueshme dhe duke krijuar një ndjenjë sigurie tek grupi i fëmijëve. Edhe prindërit kanë rolin e tyre të rëndësishëm si edukatorë dhe modele sjelljeje për fëmijët e tyre në mënyrë që të mos inkurajohet bullizmi. Prindërit dhe edukatoret duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të minimizuar fenomenin e bullizmit tek fëmijët e moshës së kopshtit.

A ekziston vërtet abuzimet tek fëmijët e kopshteve?

Përgjigjja është qartësisht po. Disa edukatore e prindër mund të dyshojnë ende në vërtetësinë e kësaj të dhëne, duke menduar se fëmijët e vegjël nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe shfaqin një sjellje të tillë. Bazuar në shumë studime të kohëve të fundit, nga shumë vende të botës, rezulton se fëmijët nuk ka nevojë të kuptojnë këtë sjellje që ta shfaqin atë. Ata thjeshtë kanë nevojë të kuptojnë që kjo sjellje është shpërblyese. Kërkimet për sa i përket bullizimit tek fëmijët e kopshteve janë relativisht të reja. Gjithsesi, të gjitha studimet e bëra demonstrojnë që bullizmi shfaqet në nivele pak a shumë të ngjashme. Mund të shfaqen ndryshime të vogla për sa i përket formës së ngacmimit, por karakteristikat e përgjithshme janë të ngjashme.

Fëmijët agresorë (bulli) Ne mund t’i vëmë re fëmijët të cilët i quajmë bulli. Përgjithësisht ata dëfrehen kur e detyrojnë një bashkëmoshatar të tyre t’i nënshtrohet disa sjelljeve negative. Kjo mund të variojë nga fshehja e këpucëve, prishja e një vizatimi, thënia e fjalëve të shëmtuara, refuzimi për të qëndruar pranë atij fëmije e deri tek goditja.

Bullit jo domosdoshmërisht përdorin forcën fizike për të agresuar viktimën e tyre, por mund të jenë edhe manipulues duke ditur shumë mirë se mund ta shfaqin këtë sjellje agresive atëherë kur nuk i shikon njeri, por edhe se si të fitojnë mbështetjen e të tjerëve. Ata mund të ndihen të fuqishëm dhe të thonë: Unë jam bosi këtu megjithëse përqindja tek kopshtet varion, nisur edhe nga metodat ndëshkuese të përdorura nga edukatoret. Nga studimet në vende të ndryshme të botës, rezulton se afërsisht 10 % e fëmijëve në kopshte janë bulli.

Këta fëmijë i njohin shumë mirë rregullat dhe normat sociale, por ata duhet të mësohen t’i respektojnë ato.

Fëmijët që janë viktima pasive

Studimet gjithashtu dëshmojnë se afërsisht 6% e fëmijëve të kopshteve mund të kategorizohen si viktima pasive, ku përfshihen ata fëmijë të cilët viktimizohen nga bullit dhe moshatarë të tjerë (mbështetësit e bullit) vazhdimisht dhe që nuk hakmerren. Edukatoret zakonisht i përshkruajnë këta fëmijë si shumë të sjellshëm.

Studimet dëshmojnë se këta fëmijë sillen mirë, ndihmojnë, ngushëllojnë të tjerët. Këto viktima pasive zakonisht kanë vështirësi të mbrojnë veten e të thonë Jo, nuk e dua këtë. Këta fëmijë mund të luajnë vetëm më shumë se fëmijët e tjerë dhe mund të kenë vështirësi që të bëjnë miq të rinj, t’u kërkojnë fëmijëve të tjerë të luajnë bashkë, etj. Jo rastësisht, rezulton se këta fëmijë kanë më pak shokë dhe janë më pak të pëlqyer sesa bullit, apo fëmijët e tjerë të cilët nuk janë të përfshirë fare në bullizëm. Për këta fëmijë, do të ishte një ndihmë e madhe nëse do të fitonin vetëbesim në marrëdhëniet sociale. Po ashtu ndihmëse do të ishte edhe rritja e aftësive të këtyre fëmijëve, në mënyrë që të minimizohet vulnerabiliteti i tyre në grup.

Fëmijët që janë viktima agresive

Ka gjithashtu fëmijë që në grupin e moshatarëve janë shumë agresivë dhe që viktimizohen. Ata quhen viktima agresive dhe studimet në rang botëror dëshmojnë që 8% e fëmijëve të kopshteve mund të përfshihen në këtë kategori. Këta fëmijë janë shumë impulsivë dhe përdorin agresionin fizik më shumë se bullit. Ata kanë mungesë të vetëkontrollit dhe reagojnë shumë shpejt dhe agresivisht ndaj provokimeve apo asaj që ata perceptojnë si të tillë. E megjithëse ata mbrojnë veten e tyre në mënyrë pasionante, ata nuk mund ta ndalojnë bullizmin. Impulsiviteti i tyre përdoret e manipulohet gjithashtu nga fëmijët-bullit, të cilët e dinë se si të provokojnë shpërthimin e tyre. Këta fëmijë gjithashtu, rezulton të kenë mungesë të aftësive për të gjetur shokë të rinj; ata kanë pak shokë dhe nuk preferohen shumë nga moshatarët.

Fëmijët ndihmës të fëmijëve-abuzues ‘bulli’

Ka gjithashtu edhe fëmijë të cilët nuk e iniciojnë bullizmin, por ndonjëherë ndihmojnë fëmijët-bulli dhe fëmijët e tjerë të cilët ndonjëherë janë viktima të bullizmit, por jo rregullisht sikurse viktimat e përshkruara më lart.

Fëmijët dëshmitarë të abuzimit ( bullizmit)

Së fundmi, afërsisht gjysma e fëmijëve në kopsht nuk i agresojnë kurrë moshatarët dhe nuk agresohen kurrë nga moshatarët. Studimet dëshmojnë se këta fëmijë shpesh ndihen të zemëruar apo të trishtuat kur janë dëshmitarë të bullizmit dhe ndonjëherë përpiqen të ndihmojnë viktimat. E rëndësishme për parandalimin e bullizmit është që këta fëmijë të mësohen që të ndihmojnë viktimat. Kjo arrihet duke u kombinuar me rregulla sjellje të përkufizuara qartë në kopsht. Kështu, këta fëmijë do të mësonin që t’i thoshin fëmijëve bulli që të ndalojnë bullizmin dhe se si të marrin ndihmë nga edukatorja, kur nuk arrijnë ta ndalojnë bullizmin.

Cilat janë pasojat e  abuzimit në këtë moshë?

Simptoma psikosomatike

– Fëmijët e kopshtit të cilët janë ngacmuar apo dhunuar nga moshatarët e tyre, prindërit dhe edukatoret raportojnë të jenë stresuar dhe të kenë shfaqur simptoma të ndryshme psikosomatike (për shembull dhimbje koke), të kenë frikë të shkojnë në kopsht dhe të shprehin simptoma depresive. Refuzim nga moshatarët

– Studimet dëshmojnë se bullizmi në kopsht, sikurse edhe në shkollë, është një problem që shqetëson të gjithë grupin e fëmijëve sikurse edhe të rriturit (mësues dhe prindër). Fëmijët e kopshtit i pëlqejnë më pak viktimat se sa moshatarët e pa përfshirë apo edhe krahasuar me fëmijët bulli. Gjithashtu, viktimat nuk kanë shokët që të mund t’i mbrojnë ata.

Refuzimi nga moshatarët mbetet stabël për disa vite dhe ka pasoja negative afatgjate në mirëqenien dhe pranimin social të fëmijës, dhe mund të shkaktojë viktimizim të mëtejshëm. Bazuar në studime, mund të thuhet se fëmijët që nuk kanë shokë, që nuk pranohen në grup dhe që janë të viktimizuar, kanë nevojë për vëmendje speciale nga të rriturit në mënyrë që të ndihmohen të dalin nga ky rreth vicioz. Rrjedhimisht, edhe nëse vërehet që disa fëmijë në grup janë shqetësuar për shkak të bullizmit, studimet tregojnë që këta fëmijë, si viktimat ashtu edhe fëmijët e tjerë, nuk mund ta ndalojnë vetë këtë situatë. Po ashtu, studimet dëshmojnë së vetë situata është shpërblyese për fëmijët bulli dhe se edhe ata, ashtu si fëmijët viktima, janë të stabilizuar në këto role. Kjo nënkupton se të rriturit duhet të përfshihen direkt në ndalimin e këtyre situatave të dëmshme.

Rekomandime për parandalimin e bullizmit në kopsht

Abuzimi( bulizmi) është një sjellje shumë e dëmshme dhe të rriturit duhet ta marrin seriozisht që kur fëmijët janë në kopsht.

Ndërgjegjësimi lidhur me format e dukshme indirekte, të fshehura dhe ambige të bullizmit; të cilat gjithashtu ndodhin në kopsht.

Të kushtuarit vëmendje simptomave dhe treguesve të mundshëm të viktimizimit, të tilla si mungesa e dëshirës për të shkuar në kopsht, stresi apo trishtimi.

Të dëgjuarit e fëmijës kur flet për një ditë jo të mirë në kopsht.

Të biseduarit me fëmijën lidhur me gjërat e mira dhe të këqija që ndodhin në kopshtin e tyre.

Të biseduarit lidhur me padrejtësinë që qëndron tek bullizmi dhe të mësuarit e fëmijës me sjellje alternative.

Të mësohen fëmijët të thonë jo! T’u jepet fëmijëve mundësia për t’u ndjerë kompetentë.

Tu ofrohetinformacion/trajnimfëmijëve që ndjehen të pasigurtë në disa situata

Përdorimi i lojërave dhe formave të përshtatshme të të mësuarit për të nxitur integrimin e fëmijëve. Inkurajimi i fëmijëve të cilët nuk janë të përfshirë në bullizëm që të ndërhyjnë kur janë dëshmitarë në situata të tilla. Ata duhet të trajnohen që t’u thonë fëmijëve bulli të ndalojnë, t’i kërkojnë edukatores të ndërhyjë apo të përfshijnë viktimat në situatë loje.

Rekomandime për edukatoret

Së pari, duhet të mësojnë të bëjnë diferencën ndërmjet bullizmit dhe konflikteve tipike ndërpersonale tek fëmijët, si dhe të kuptojnë që në fillim sinjalet e bullizmit dhe kur shfaqet në forma ambige.

Së dyti, edukatoret duhet të kuptojnë që janë të nevojshme ndërhyrjet e hershme për të ndaluar ngacmimet, të tilla si bisedat me gjithë grupin se çfarë konsiderohet sjellje e pranueshme dhe e papranueshme.

Komunikimi i qartë dhe i hershëm lidhur me ngacmimet  i ndihmon fëmijët e viktimizuar që të ndihen të mbrojtur, si dhe fëmijët-bulli të marrin një tablo të qartë ta asaj se çfarë lejohet dhe çfarë jo.

Kjo gjithashtu kontribuon në krijimin e një ndjenjë sigurie tek i gjithë grupi, ku fëmijët perceptojnë se nuk janë të pambrojtur në situata të tilla. Gjithashtu prindërit duhet të jenë të ndërgjegjshëm lidhur me rolin e tyre si edukatorë dhe modele, dhe të komunikojnë të njëjtat qëndrime sikurse edukatoret.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark