×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Adem Demaçi, Ilir Konushevci…”, ish-këshilltarët e Haradinajt nën aktakuzë për keqpërdorim në varrezat e dëshmorëve

    Insajderi
    17 May 2023 - 08:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Për shkak se ish-këshilltari i ish-Kryeministrit Ramush Haradinajt, Jahja Lluka, mungoi në seancën e së martës, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, në rastin ku ai dhe ish- shefi i kabinetit, Gani Demaj, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. 

    Lluka dhe Demaj po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me rastin e kryerjes së punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve si Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    sipas aktakuzës së përpiluar më 22 shtator 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Jahja Lluka dhe Gani Demaj po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Aktakuza thotë se i akuzuari Lluka si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në pozitën e këshilltarit politik të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij me rastin e angazhimit të drejtpërdrejtë të kompanisë “NTP Art Cora”, për kryerjen e punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve: Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, me ç’rast kompanisë së lartcekur i mundëson përfitim në mënyrë të kundërligjshëm.

    Ndërsa sipas akuzës, i akuzuari Demaj duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, konkretisht në pozitën si shef i kabinetit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka tejkaluar kompetencat e tij i cili ka vepruar kundërligjshëm, duke nënshkruar faturat për varrezat e lartcekura.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lluka dhe Demaj kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike si dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave, ashtu që të njëjtit pa i përfillur procedurat e prokurimit, e duke ia mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, duke punuar pa projekt, pa raport për përcjelljen e punimeve, pa menaxher të punimeve apo komisioni për vlerësim të punimeve të kryera i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.

    Me këto veprime, Lluka dhe Demaj po akuzohen secili veç e veç se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark