Tre mijë euro është shuma për të cilën dyshohet t’i ketë pranuar si ryshfet dekani aktual i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli. Ryshfeti, nga ajo çfarë ka raportuar Insajderi dekanit i janë dhënë prej profesorit universitar në Fakultetin e Shkencave Politike, Zenun Halili, për t’iu dhënë pushimi sabatik.
Për aprovim të pushimit sabatik, profesori Halili dyshohet se më 2022-ën ia ka dhënë tre mijë euro dekanit Bërxulli. Të dy profesorët janë dërguar në Këshillin e Etikës.
Gazeta Insajderi ka siguruar deklaratat me shkrim të Bërxullit dhe Halilit para Këshillit të Etikës. Dekani aktual i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli ka mohuar që të ketë pranuar para.
Sipas tij është profesori Zenun Halili që po mundohet që vë në lajthitje Këshillin e Etikës.
“Prof. Asoc. Dr. Zenun Halili po ashtu nuk përmend në deklarimin e tij, që unë nuk kam asnjë detyrim financiar ndaj tij. Asnjëherë në jetën time nuk kam pranuar para nga dikush në një marrëdhënie personale për të mos ia kthyer. Asnjëherë në jetën time nuk kam pranuar para nga dikush dhe nuk ia kam kthyer. Duke anashkaluar qëllimshëm ketë fakt Prof. Asoc. Dr. Zenun Halili bën përpjekje e radhës për ta vendosur në lajthitje Këshillin e Etikës dhe jo vetëm atë“, tha ai.
Bërxulli thotë se nuk ka kërkuar mjete financiare për dhënien e pushimit të lirë për profesorin Halili.
Dekani në deklarimin e tij akuzon profesorin Halili se ka trilluar bisedat me të dhe se i ka nxjerrë nga konteksti fjalët që i ka thënë në formë miqësore.
“Unë nuk kam kërkuar në asnjë fjalë apo fjali në një marrëdhënie quid pro quo’, mjete financiare në çfarëdo mënyre apo formë nga profesori në fjalë për dhënien e vitit të lirë për studime (vit sabatik), qè lidhet me detyrat e mia të Dekanit te Fakultetit Filozofik. Prof. Asoc. Dr. Zenun Halili ndërton biseda imagjinare ose përdor fjale eventuale të bisedave miqësore, duke i nxjerrë nga konteksti, për t’ iu larguar sa më shumë çështjes themelore në ketë situatë: incizimit dhe shantazhit të kryer në dem timin. Mohoj kategorikisht zhvillimin e bisedave”, është shprehur Bërxhuli në letrën dërguar Këshillit të Etikës.
Ndërsa profesori që dyshohet se ka dhënë ryfshet për pushim sabatik Zenun Halili, ka kërkuar një seancë dëgjimore.
Në letrën me shkrim dërguar Këshillit të Etikës që ka parë Gazeta Insajderi, Halili thotë se ketë po e kërkon për të paraqitur faktet që ka për dekanin Dashamir Bërxulli.
“I nderuari Kryesues i Këshillit te Etikes, Prof. Morina; Fillimisht ju njoftoj se me vëmendje e kam analizuar deklarimin dhe pretendimet e dekanit Prof.asoc.dr. Dashamir Berxulli të paraqitura në Kèshillin e Etikës. Meqenëse konsideroj se këto pretendime nga ana e tij janë tërësisht të paqëndrueshme për shumë arsye, më lejoni që në kuptim të nenit 17, par, 2 të Kodit të Etikës së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, të propozoj organizimin e një seance dëgjimore nga ana e Këshillit të Etikës, me qëllimin e vetëm që rasti ynë të elbarohet më gjerësisht. Një kërkesë e tillë mbi organizimin e seancës dëgjimore, po ashtu gjen mbështetje edhe në nenin 95, par. 1 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Në të cilën është përcaktuar se: Para marrjes së një vendimi përfundimtar, organi publik që zhvillon procedurën administrative, duhet të njoftojë palën për të drejtën e saj për t’u dëgjuar”, thuhet në deklaratën e profesorit Halili.
Dyshimet për pranim ryshfeti nga dekani i Filozofikut
Për aprovim të pushimit sabatik, profesori Halili dyshohet se më 2022-ën ia ka dhënë tre mijë euro dekanit Bërxulli. Ai në një email që ka parë Gazeta Insajderi e akuzon dekanin se e nxori “nga petku i njerëzisë”.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 2022-ën, ajo u shpërfaq tek tash, në kohën kur pritet të mbahen zgjedhjet për Dekan në Fakultetin Filozofik. T.
“Përshëndetje dekan Bërxulli, uroj të jeni mirë! Në takimin e fundit më 25 janar, u dakorduam ta bëjmë garën korrekt, por ju nuk po punoni me ndershmëri. Unë ju kam treguar Dorajetit e Ademit se ti mi ke marrë 3000 euro për pushim sabatik në vitin 2022. Ju me nxorët nga petku i njerëzisë! Deri në këtë moment e dinë 7 persona. Sot do ta bëjë publike”, thuhej në emailin që ka parë Insajderi.
Aty thuhet se ai posedon incizime për këtë dhe se do t’i bëjë publike.
“Nuk kam besuar se jeni i tillë! Jam përpjekur por ma bëre të pa mundur. Sot do të shkruaj email për të gjith stafin akademik të universitetit. Të Fala Sot jam me vëllezërit e mi nga Amerika që kanë ardhur t’me vizitojn, por shihemi se shpejti!”, përfundon emaili.
Nga ajo çfarë ka marrë vesh Insajderi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka dashur që rastin ta mbyllë në heshtje. Mirëpo, pasi që është bërë publik, që të dy profesorët janë dërguar në Këshillin e Etikës. /Insajderi.org/