Insajderi
Hulumtime/Analiza

Afera e tokës milionëshe në Veternik përfshin edhe një zyrtar të lartë policor: Bllokohet prona e Nevruz Hasanit

Insajderi
19 September 2025 - 15:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Afera e tokës milionëshe në Veternik përfshin edhe një zyrtar të lartë policor: Bllokohet prona e Nevruz Hasanit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Skandali i tokave në Veternik, i njohur si pjesë e projektit “Prishtina e Re”, po përfshin çdo ditë emra të rinj nga politika, biznesi dhe institucionet publike. Në listën e pronarëve me pasuri të bllokuara ka dalë edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës – Nevruz Hasani, shef i Departamentit për Operacione. Në qendër të një hetimi ndaj Afrim Gashit, një tregtar toke, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur bllokimin e një prone me miliona euro. Siç raporton Gazeta Insajderi, në vendimin e gjykatës përmenden emra të njohur në afera pronash, përfshirë biznesmenë dhe zyrtarë publikë.

Gazeta Insajderi

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Insajderi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një Urdhër Ndalues Përfundimtar për parcelën kadastrale 1743-6 në Veternik, me sipërfaqe 600 m².

Kjo pronë, e cila është regjistruar në emër të Nevruz Hasanit, , shef i Departamentit për Operacione  në Policinë e Kosovës, është ndarë në tre pjesë (1743-32, 1743-33 dhe 1743-34) dhe është futur në skemën e dyshimtë që lidhet me projektin urbanistik. Vendimi gjyqësor ndalon shitjen, dhënien me qira, bartjen ose regjistrimin e kësaj prone, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi konfiskimin e saj.

Dyshime mbi deklarimin e pasurisë

Nevruz Hasani mban pozitën e shefit të Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës që nga shtatori i vitit 2017.

Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ai ka raportuar një shtëpi, disa toka, dy banesa dhe një garazh, me vlerë qindra mijëra euro. Të ardhurat e tij vjetore nga paga arrijnë rreth 15,500 euro neto.

Megjithatë, deklarimi i tij nuk përmend saktësisht parcelën e bllokuar në Veternik, duke ngritur dyshime mbi transparencën e raportimit të pasurisë nga një zyrtar i lartë policor.

Lidhjet me rrjetin e Afrim Gashit

Hetimet e Prokurorisë e lidhin rastin e Hasanit me një rrjet më të gjerë të përbërë nga ndërmjetës, avokatë e noterë, të cilët përmes dokumenteve të dyshimta kanë regjistruar dhe shitur prona në Veternik. Afrim Gashi, një nga emrat kryesorë të këtij rrjeti, u arrestua më 25 gusht 2023 nën dyshimet për mashtrim, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve të pavërteta.

Sipas të dhënave të siguruara, Gashi dyshohet se ka qenë ndërmjetës në një skemë që përfshiu dhjetëra parcela, duke shitur të paktën 22 prej tyre dhe duke gjeneruar fitime prej mbi 5 milionë eurosh. Në këtë rrjet është përmendur edhe emri i Ylber Hysenit.

Provat e mbledhura nga autoritetet përfshijnë transferta bankare milionëshe dhe përdorim të certifikatave të falsifikuara të pronësisë. Këto praktika, sipas prokurorisë, janë përdorur për të mbuluar prejardhjen e dyshimtë të pronave.

Përveç Hasanit dhe Gashit, në këtë aferë janë përfshirë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-avokati i këtij institucioni, Venhar Hana, të cilëve po ashtu u janë bllokuar pasuri.

Pas publikimit të këtij artikulli, disa ditë më vonë ka ardhur një reagim i Nevruz Hasanit. Për hire të korrektësisë, Insajderi e publikon të plotë atë, edhe pse qëndron prapa publikimit.

Këtu është reagimi i plotë:

E nderuar Redaksi e Portalit Insajderi,

Me datë 19 shtator keni publikuar dy artikuj (në ora 15:48 dhe 17:30) të cilat përmbajnë të pavërteta për pozicionin tim, veprimet e mija dhe personalitetin tim të ndërtuar ndër vite. Me anë të këtij reagimi, dëshiroj të sqaroj si më poshtë:

Ju pretendoni se në rastin e pronave në Veternik përfshihet edhe emri im, pa e sqaruar qartë se cila është përfshirja ime, duke krijuar përshtypjen tek lexuesi se unë jam njëri nga personat që ka shkelur ligjin.

E vërteta është se përfshirja ime në këtë çështje është vetëm në cilësinë e blerësit. Me kontratë noteriale, duke paguar çmimin e shitjes, kam blerë një pronë prej 6 ari e cila ka qenë në shitje. Para blerjes kam verifikuar nëse prona ka certifikatë pronësie dhe pas konfirmimit e kam blerë nga pronarët e asaj kohe. Pas blerjes dhe parcializimit, prona ka kaluar në emrin tim. Në këtë çështje unë nuk jam as i dyshuar dhe as i akuzuar.

Për shkak se pronarët paraprakë nga të cilët e kam blerë pronën janë të përfshirë në një proces gjyqësor, gjykata ka marrë vendim që prona të jetë e bllokuar deri në një vendim përfundimtar. Në këtë situatë unë jam viktimë, pasi paratë e mia të ligjshme janë bllokuar dhe nuk mund t’i shfrytëzoj pronat për shkak të një skeme të dyshimtë e cila duhet të hetohet.

Gjithashtu, në shkrimin tuaj më keni emëruar gabimisht si shef i departamentit për operacione në Policinë e Kosovës. Ky informacion është i pasaktë dhe se asnjëherë s’e kam pas atë pozitë.

Në artikull është thënë se prona në Veternik, e bllokuar me vendim të gjykatës, nuk është deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion. Kjo nuk është e vërtetë. Në kolonën me numrin tetë në regjistrin e deklarimit të pasurisë, unë kam deklaruar pronësinë e ngastrës prej 6 ari, e cila është e njëjta pronë e bllokuar. Prandaj, konstatimi juaj është 100% i pasaktë.

Për më tepër, keni ngritur dyshime për prejardhjen e mjeteve me të cilat e kam blerë pronën. Në gjithë jetën time çdo cent i pasurisë sime është i deklaruar dhe i ligjshëm. Blerja e pronës prej 6 ari është bërë me mjetet e përfituara nga shitja e lokalit në rrugën C, çka është sqaruar qartë në regjistrin e pasurisë. Lokali është rezultat i një transaksioni ku unë kam dhënë për ndërtim pronën time prej 3 ari, të cilën e kam pasur në pronësi që nga viti 2004 .
Në raportimin tuaj keni lënë të paqartë prejardhjen e disa pronave të tjera, duke dhënë përshtypje të gabuar. Nga regjistri i pasurisë kuptohet qartë se katër nga dhjetë pronat janë trashëgimi nga babai im, ndërsa për të tjerat është sqaruar burimi – shkëmbim banese apo shitje lokali.

Po ashtu, në artikull citoni hetimet e Prokurorisë, ku përmenden emra të tjerë të ndërlidhur me skemën e Veternikut. Dëshiroj të sqaroj se unë nuk jam i ndërlidhur dhe as i hetuar në këtë rast, gjë që mund të vërtetohet lehtësisht me të dhënat nga procesi.

Ndërsa në lidhje me artikullin tjetër, janë të pasakta pretendimet se kam kaluar shiritat e sigurisë siç është raportuar, për shkak se vendimi i gjykatës në asnjë rast nuk ndalon hyrjen dhe shfrytëzimin e njësive banesore nga ana e pronarëve të tyre.

Duke u thirrur në Kodin e Etikës së KMSHK-së, kërkoj që reagimi im të publikohet dhe artikujt tuaj të përmirësohen në përmbajtjet e tyre të pavërteta.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark