Afera Martin Berishaj | Nagip Krasniqi e Dejona Mihali 'privatisht' i konfirmojnë milionat qe mori GEN-i - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Afera Martin Berishaj | Nagip Krasniqi e Dejona Mihali ‘privatisht’ i konfirmojnë milionat qe mori GEN-i

    Insajderi
    14 October 2024 - 17:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish- kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi përmes një bisede private, ia konfirmon Dejona Mihalit përfshirjen e Martin Berishajt në dallavere me rrymë.

    Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.

    Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.

    Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

    Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se“pak a shumë është i vërtetë”.

    Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.

    “Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit.

    Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.

    Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.

    Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.

    Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.

    Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.

    Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.

    “A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.

    “Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.

    Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.

    “Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.

    “Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.

    “Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.

    Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.

    Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.

    “A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.

    Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Pas intervistimit, Mihali kishte deklaruar se “u ftua për ta zbardhur të vërtetën”.

    Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, dyshohet nga Prokuroria Speciale për shpërlarje parash.

    Për këtë ai ishte intervistuar muaj më parë nga

    Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Vitin e kaluar, mediat sllovene shkruajtën për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark