×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Martin Berishaj humbet betejën me gazetarin slloven që ia ekspozoi skandalin me “GEN-i Beograd”

    Insajderi
    13 January 2023 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Çështja është mbyllur ligjërisht”.

    Kështu tha zëdhënësja sllovene nga Zyra për Administrim të Gjykatave dhe Çështjeve të Interesit të Përbashkët në Gjykatën e Qarkut në Ljubjljanë, Anja Slak, pyetur nga Insajderi për padinë që Martin Berishaj kishte ngritur  ndaj gazetarit slloven, Vitomir Petroviç në prill të vitit të kaluar.

    Kjo pasi Petroviç kishte ekspozuar skandalin financiar të Berishajt, ambasadorit kosovar në Zagreb, që e lidhte atë me tashmë kryeministrin slloven, Robert Golob, në një skemë shpëlarje dhe bartjesh para nga një kompani serbe te një malazeze.

    Berishaj kishte ngritur padi për shpifje ndaj gazetarit slloven “për dëmtim të emrit të mirë dhe nderit”.

    Por, nga Gjykata e Qarkut të Ljubljanës thonë se kjo padi si rast është mbyllur.

    “I pandehuri në këtë rast është Vitomir Petroviç, për vepër penale kundër nderit dhe emrit të mirë nga neni 158 i Kodit Penal në lidhje me nenin 166. Martin Berishaj vepron si prokurori i ligjshëm. Çështja është mbyllur ligjërisht”, thanë për Insajderin.

    Berishaj, pas ekspozimit të këtij skandali financiar kishte ngritur padi ndaj Petroviç.

    “Shpifjet nuk kalojnë!”, kishte shkruar më 22 prill Martin Berishaj.

    “Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalën e fundit gjykatës”, kishte vazhduar ai.

    “Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurte në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, kishte shkruar ai.

    Martin Berishaj ka gëzuar mbështetje të madhe nga kasta e pushtetit derisa për të është raportuar anembanë rajonit si i përfshirë në një skemë të madhe skandalesh financiare.

    Gazeta Insajderi siguron komplet transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt

    Insajderi ka arritur të sigurojë komplet transaksionet bankare dhe ka zbuluar se kompania GEN, dega e saj në Serbi, gjatë viteve 2015-2022 ka derdhur mbi 1 milion euro në xhirollogarinë e MB Consulting, biznes ky në pronësi të Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

    Ndonëse kompania e Berishajt në Mal të Zi daton se është regjistruar më 12 dhjetor 2016, paratë e para nga GEN-i me degë në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.

    Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015, zbulon Gazeta Insajderi.

    Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN duket se kanë rënë pak, gjatë atij viti ai ka arkëtuar 262 mijë e 302 euro, sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga “GEN” drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.

    Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2022. “GEN” me degë në Serbi gjatë atij viti ka transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    Një vit më vonë më 2022, janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.

    2015-2022, kaq para tërhoqi kesh Martin Berishaj nga xhirollogaria e MB Consulting

    862 mijë e 264 euro ka tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, zbulon Gazeta Insajderi. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakonte në afarizëm.

    Sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk ka përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.

    Për çështjen e fundit ai më 2015 ka marrë 280 mijë euro, më 2016 edhe 234 mijë e 200 euro të tjera, derisa më 2017 nuk figuron asnjë tërheqje.

    Tërheqjen ai e vazhdon në vitin 2018 dhe 2019, duke marrë 43 mijë euro përkatësisht 36 mijë euro.

    244 mijë euro e 528 euro ai i ka marrë për “nevoja të biznesit” me 2021, derisa më 2022 i ka marrë edhe 60 mijë euro të tjera, zbulon Gazeta Insajderi.

    Berishaj u kishte thënë autoriteteve tatimore në Mal të Zi që arsyeja përse i ka tërhequr paratë kesh kishte të bënte me një marrëveshje që ai e kishte me kompaninë e tij.

    Në vitin 2018, Martin Berishaj do të bëhej edhe zyrtarisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti.

    Në shkurt të vitit 2021, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci, pozitë kjo në të cilën vazhdon të jetë pavarësisht skandalit financiar.

    Ai madje pati thënë se qëllimi i raportimit në mediat sllovene që ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë e lidhur me zgjedhjet në Slloveni.

    Në nëntor të vitit të kaluar, këto raportime i pati quajtur “shpifje”.

    “Tani këtu quhet aferë, mirëpo shumë media ndërkombëtare ka qenë një artikull i një portali që e ka peshën e vet. Unë jam marrë me problemin që ishte një ditë para zgjedhjeve në Sllovenisë”, pati deklaruar Berisha.

    Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës, Berishaj ka thënë se autori i tekstit e ka pasur mbiemrin Petrokoviq, duke hedhur dyshime në qëllimin e atij raportimi.

    “Liria e shprehjes nuk nënkupton shpifjen”, thotë Berishaj. Ai më pas tha se “pas zgjedhjeve në Slloveni askush nuk është marrë me të”.

    Qeveria e Kosovës ka refuzuar në mënyrë të paekuivok kërkesat për shkarkimin e tij, madje duke u angazhuar edhe në mbrojtje të pashoq të personit të tij.

    /Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark