Asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Burhan Iusufi ka kërkuar transparencë dhe sqarime nga kryetari i komunës, Alban Hyseni lidhur me propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të dy parcelave komunale.
“75 hektarë tokë publike për 99 vjet nuk janë një vendim që duhet të kalojë në heshtje”, ka shkruar ai.
Ai tha se në materialin e shpërndarë për asamblistët gjendet edhe kërkesa e kompanisë Nord Kos SH.P.K., ndërsa ngre pikëpyetje për faktin se në dokumentacion si person kontakti figuron Eronit Hajdari, i cili, sipas tij, është pjesë e kabinetit të kryetarit Alban Hyseni.
“Kjo kërkon sqarim publik. Në çfarë cilësie një zyrtar i kabinetit të kryetarit figuron në dokumentet e një kompanie private?”, ka pyetur Iusufi.
Ai ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit të japë përgjigje për këtë çështje.
“Për një proces kaq të rëndësishëm, qytetarët e Gjilanit meritojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta nga kryetari Alban Hyseni”, ka përfunduar reagimin asamblisti Burhan Iusufi.

Propozimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës publike ishte tërhequr më herët nga rendi i ditës i Kuvendit Komunal të Gjilanit, pas debatit dhe reagimeve të ngritura lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, sipas të dhënave në (ARBK), kompania “NORD KOS” figuron e regjistruar në emër të Zekrija Kamberit dhe Kastriot Visar Murselit. Sipas regjistrit, Kastriot Visar Murseli ka adresë të deklaruar në Norvegji, ndërsa veprimtaria kryesore e kompanisë është e regjistruar si kultivimi i bimëve të tjera njëvjeçare.
