×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Afro 4 milionë euro | A po e favorizon ATK-ja biznesmenin që i denoncoi për ryshfet?

    Insajderi
    20 August 2024 - 13:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendimi i kamotshëm i ATK-së që biznesmeni Feim Pulaj t’i kërkohet që t’i hedh në arkën e shtetit afro 4 milionë euro është miratuar nga Gjykata. Shkalla e dytë e Komerciales ka vendosur në favor të ATK-së, por ky institucion tash e disa javë nuk po e zbaton atë. As nuk kanë dhënë përgjigje se pse po veprojnë kështu, derisa në rast është një biznesmen që haptazi i ka akuzuar shefat e ATK-së që i kërkuan ryshfet 900 mijë euro

    Visar Duriqi

    Rreth katër vite më parë Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kishte pasur shumë punë në Prizren. Atje po ndërtohej një hotel luksoz, që tash njihet me emrin “LakeSide”, ose anës së liqenit. Një biznesmen kosovarë që kishte sjell para nga Zvicra po e bënte investimin.

    Feim Pulaj, do të deklaronte që ka investuar mbi 18 milionë euro.

    Kontrolle e ri-kontrolle ishin bërë. Këto të dytat Pulaj i konteston si të paligjshme dhe madje në një intervistë për Gazetën Insajderi ai ka pretenduar se ri-kontrollet iu bënë si presion për t’ia marrë 900 mijë euro ryshfet – denoncim ky për të cilin Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur një hetim.

    E njëjta Prokurori ka nën hetim edhe vet Feim Pulajn me 12 zyrtarë të ATK-së, të cilët qenë arrestuar në janar në një operacion me shumë bujë mediale.

    Derisa dy hetime penale po vazhdojnë anash, biznesmeni Pulaj me avokatët e tij kishte vazhduar edhe beteja të tjera ligjore kundër ATK-së në Gjykatën Komerciale.

    Një nga to është për tatimin që iu vu nga ATK-ja në biznesin e tij tjetër- “Blue Plan”, por që është i ndërlidhur me “LakeSide”.

    Sipas dokumenteve të asaj kohe, të vitit 2020, ATK-ja do të nxirrte një vendim që ai obligohej që në arkën e shtetit ti depononte mbi 3.8 milionë euro, e që me kamatat që mund të llogaritën tash, e kalojnë vlerën 4 milionë euro.

    Ai e kundërshtoi këtë vendim. Por, Gjykata Komerciale për herë të dytë ka vendosur pro ATK-së.

    Rrjedhimisht, Komercialja ka nxjerr vendim final që vendimi i Administratës Tatimore për obligimin tatimor, së paku 3.8 milionë euro nga Feim Pulaj për biznesin “Blue Plan” është i bazuar dhe duhet të ekzekutohet.

    Këtë vendim e ka marrë me 28 maj të këtij viti- duke konstatuar se e vërteton vendimin e shkallës së parë po të të njëjtës gjykatë të 29 dhjetorit 2023.

    “REFUZOHET kërkesëpadia e paditësit SH.P.K “Blue Plan Kosovo Ag”, me seli në Prizren, si e pa bazuar”, thuhet në këtë dokument dhe “MBETËN NË FUQI vendimet nr.312/2020 i datës 05.11.2020 dhe nr.124/2021 i datës  20.05.2021, të Administratës Tatimore të Kosovës me seli në Prishtinë”, vazhdon pjesa tjetër e vendimit.

    Por, çka në fakt prodhon ky vendim?

    Sipas një interpretimi të bërë nga një eskper taksash, që është dhënë në dispozicion të avokatëve të 12 zyrtarëve të arrestuar të ATK-së, por jo vetëm, e një kopje të së cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi, del që ATK-ja tash është e obliguar që ta zbatoi vendimin që Gjykata i ka dhënë të drejt- rrjedhimisht të kërkoi që biznesmeni Feim Pulaj të paguaj miliona në arkë të shtetit për biznesin e tij të ndëruar në kodër të Vërmicës, anës së liqenit.

    “…në procedurë ankimore shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale, me aktgjykimin K.DH.SH. II. nr. 407/2024, të datës 24.05.2024, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit “Blue Plan” dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës se parë. Kështu pasi që kemi të bëjmë me aktgjykim të plotfuqishëm, ATK-ja obligohet ta bëj ekzekutimin e tij sipas detyrës zyrtare, ku do të kthej detyrimin tatimor në kategorinë e TVSh-së mbi 4 mil. € dhe të hap kontrollin për llojin e tatimit TAK/2020 për subjektin “Blueplan”, sepse në të kundërtën mosekzekutimi i aktgjykimit të plotfuqishëm paraqet vepër penale”, thuhet në këtë dokument 13 faqesh në shfrytëzim nga avokatët e 12 zyrtarëve të ATK-së.

    Gazeta Insajderi ka qe dy javë që ka dërguar pyetje në ATK për të pyetur se kur do të zbatohet vendimi i Gjyqit në favor të tyre e kundër biznesmenit Pulaj, dhe nëse kanë vendosur që të mos e zbatojnë- cilat janë shpjegimet e tyre ligjore për mos-zbatim të një vendimi për të cilin kanë bërë betejë ligjore, por deri tash ky institucion nuk ka pranuar që të komentoi.

    Në janar të këtij viti në një operacion me shumë forca policore u arrestua biznesmeni Feim Pulaj bashkë me 12 zyrtarë të ATK-së.

    Si rrallë, nuk u caktua paraburgim nga Gjykata. Si rrallëherë, Gjykata refuzoi të fuste në transkript zyrtar atë se çka deklaroi biznesmeni në seancë. Kishte raportuar vetëm Insajderi për akuzat e bujshme që bëri ky biznesmen që ditën që doli para Gjyqit. I akuzonte shefat e disa inspektorë të ATK-së se i kërkuan afro 900 mijë euro ryshfet. Gjashtë muaj më vonë ai ka pranuar që të jep një intervistë. Ka përmendur emra. Detaje. Ka zbuluar se tashmë ka bërë edhe një kallëzim penal ku preket hiq më pak se sa numri dy i ATK-së, Nijazi Asllan.

    E Prokuroria i ka konfirmuar Insajderit se ka nisur një hetim mbi denoncimin e biznesmenit Pulaj.

    Por, nga dosja e këtij rasti, një pjesë të së cilës e ka siguruar Gazeta Insajderi, del që ATK-ja është turthuruar në bizneset e Feim Pulajt.

    Në disa raste të më hershme kishte aprovuar ri-mbrusim për investimet që ai bëri në hotelin përballë liqenit.

    Ishin kontrolluar ndarasi herë biznesi “Lake Side” e herë “Blue Plan”, që kanë të njëjtin pronar.

    I ishin refuzuar si fatura fiktive dokumentet që i kishte lëshuar biznesi “Batatina”, për çka ai kërkonte ri-mbrusim prej 2.7 milionë eurosh për një investim sipas tij prej mbi 18 milionë eurosh në atë hotel.

    Derisa beteja ligjore për borxhin që ATK ia ngarkoi tek “Blu Plan”, që e kishte ndërtuar hotelin “Lake Side”, e me para të ardhura nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, por ku përsëri pronar ishte i njëjti njeri- Feim Pulaj, po vazhdonte, ATK-ja bashkë me Prokurorinë në Prishtinë nisen edhe një rast penal- atë të janarit 2024.

    Dhe krejt këto zhvillime po i ndodhin Administratës Tatimore rreth një personi që me emër e mbiemër ka përmendur shefa e inspektorë që i kanë kërkuar hiç më pak se sa 900 mijë euro ryshfet.

    Për të e komplikuar edhe më shumë: Derisa Prokuroria në Prishtinë po e vazhdon hetimin ku i Feim Pulaj është i dyshimtë, bashkë me 12 punonjës të ATK-së, e njëjta Prokurori po e vazhdon edhe hetimin ku Pulaj është denoncues-viktimë e disa zyrtarëve të tjerë po të ATK-së që thotë se i kërkuan ryshfet.

    Dhe ky nuk është denoncimi i vetëm. Edhe në prokurori të tjera ai ka bërë denoncime për pronat e prindërve  të bllokuara po nga ATK-ja, derisa ende pretendon që për investimin prej mbi 18 milionë eurosh i takon- dhe madje do ta marrë vlerën prej 2.7 milionë eurosh ri-mbursim.

    Gazeta Insajderi që nga janari i këtij viti ka raportuar për këtë rast ku ka dyshime për shmangie tatimore dhe jo vetë, dhe ka akuza publike për ryshfet nga ATK-ja.

    Lexo raportimet e Insajderit:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark