Në vitin 2009 për objektin e ri të Komunës së Prishtinës ishin shpenzuar 4 milionë. Ndërsa vetëm gjatë vitit 2023, përgjatë qeverisjes së Përparim Ramës u shpenzuan edhe 386 mijë euro për renovimin e kulmit. Rikonstruktimim që Komunës së Prishtinës i kushtoi afro 400 mijë euro i solli lëndime të rënda një qytetareje gjatë muajit janar të këtij viti, ku si pasojë e erërave të forta, u goditë nga çatia. Dy persona, arkitekti dhe menaxheri i kontratës janë duke u hetuar nga organet e rendit. Insajderi ju sjell detajet të rastit.
Komuna e Prishtinës në gusht të 2023 kishe shpallur fitues për tenderin “Rikonstruim i kulmit të objektit të Komunës së re“, kompaninë “NBT-ING”.
Ky tender me të cilin u shpërblye kompania nga Suhareka ka vlerën prej 386 mijë euro. Por, që këto nuk mjaftuan që punimet aty të jenë të sigurta dhe pa rrezik.
E lënduar me 18 janar, mbeti Elza Ujkani motra e deputetes, Fjolla Ujkani, fatmirësisht ajo arriti t’i mbijetojë plagëve, por që i duhet të ndërhyjë jashtë vendit. Për këtë, Komuna e Prishtinës e ka kompensuar me 110 mijë euro.
Deputetja Ujkani sqaroi se motra e saj Elza do t’i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit, për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës.
“..Pa këtë operacion, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin e saj, që përfshijnë infeksione të mundshme dhe dëmtime të tjera të përhershme. 110.000 eurot janë për këtë operacion. Për operacionin e ardhshëm të Elzës”, ka shkruar Ujkani në Facebook.
Çka thuhet në dosjen e prokurorisë për dy personat e dyshuar?
Bekim Baftjaraj, arkitekt, mbikëqyrës i punimeve nga operatori ekonomik “NBT-ING” dhe Ylber Jashari dhe inxhinier, menaxher i projektit i caktuar nga Komuna e Prishtinës, po dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat me të cilat kanë qenë të obliguar me ligj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë me 23 janar paraqiti para gjykatës kërkesën për caktimin e masës për t’iu ndaluar vendit apo personit të caktuar për Ylber Jashari dhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për Bekim Baftijarin.
Gjykata Themelore në Prishtinë aprovoi kërkesën për masë e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj Ylber Jasharit ndërkohë që refuzoi kërkesën për masën e paraburgimit ndaj Baftijarit, të cilit i caktoi masën e arrestit shtëpiak.
Ndërkohë, me 13 shkurt Prokuroria kërkoi vazhdimin e masës ndaj Ylber Jasharit edhe për 1 muaj ndërkohë kërkoi edhe dy muaj masë të arrestit shtëpiak ndaj Bekim Baftjarajt.
Kërkesa u vlerësua si pjesërisht e bazuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake, si rrjedhojë, u kërkuan ndryshime në rastin e Baftjarajt “ekziston baza ligjore për vazhdimin e masës “Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar” për të pandehurin Ylber Jashari dhe zëvendësimin e masës se arrestit shtëpiak me masën “Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar”, për te pandehurin Bekim Baftjaraj”.
I pandehuri Ylber Jashari ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare” ndërsa i pandehuri Bekim Baftjari, ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Në dosjen që ka siguruar Insajderi, thuhet se “për shkak se po të gjenden të pandehurit Ylber Jashari dhe Bekim Baftjari, në liri të plotë, të njëjtit do të mund t’i fshehin, ndryshojnë apo do ti falsifikojnë provat sidomos duke marr për bazë faktin se i pandehuri Ylber Jashari është person zyrtar në Komunën e Prishtinës dhe ka qasje në dokumentacionin e kësaj Komune si dhe në punonjësit e sajë, të cilët shihen si burim i informacioneve në këtë çështje penale”.
Në dosjen bëhet me dije arsyeja se përse sipas gjykatës Jashari dhe Baftjari nuk bën të lihen në liri të plotë. Potencohet se e lënduar ka mbetur Elza Ujkani si dhe disa qytetarë kanë pësuar dëme materiale.
“Po ashtu duke marr për bazë faktin se, i dyshuari Bekim Baftjari si person përgjegjës i Kompanisë “NTB ING” SH.P.K. dhe i pandehuri Ylber Jashari si menaxher i kontratës së Komunës, që të dy janë akter, të kontrates sipas të cilës kontratë kanë pasur të realizohen disa punime në kulmin e objektit të Komunës, mirëpo për shkak të punimeve jo profesionale sipas standardeve të kërkuara dhe mos kryerja e obligimeve të cilat dalin nga kontrata, si për personin përgjegjës të kompanisë ashtu edhe për menaxherin e kontratës tani të dyshuarin Ylber Jashari, një e pjesë e kulmit të objektit të komunës rënohet nga erërat, ku për pasojë ka pësuar lëndime qytetarja Elza Ujkani ndërsa dëme materiale edhe qytetaret tjerë, e për çka kanë filluar edhe janë duke u zhvilluar hetimet”.
“Andaj kjo gjykatë vlerëson po të gjenden të pandehurit, në liri të plotë do të mund të ndikonin në njeri tjetrin, për të dhënë deklarate në favor të tyre apo edhe për t’i vështirësuar hetimet andaj të gjitha këto rrethana përmbushin standardet e kësaj baze ligjore, për vazhdimin e masës “Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar” për të pandehurin Ylber Jashari dhe zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak, me masën Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, për te pandehurin Bekim Baftjaraj”.
Prokuroria pretendon se i dyshuari, Ylber Jashari me këto veprime e ka dëmtuar buxhetin e Komunës në shumën prej 36,450.29 euro.
Nga shkresat e lëndës rezulton se: “Me datën 11.08.2023 e deri me datë 18.01.2024 në Ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, i pandehuri Ylber Jashari në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar të përfitoj materialisht në mënyrë të kundërligjshëm kompanisë “NBT ING” SH.P.K e nga ana tjetër duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumën prej 36,450.29 euro, ashtu që i pandehuri Ylber Jashari ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Kadastrit të Komunës së Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishte punuar dhe nuk ishin bërë punimet sipas kontratës...”
Ndërkohë Bekim Baftijari në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ka vepruar në kundërshtim me kushtete e parapara të kontratës.
Po ashtu në dosjen e siguruar nga Insajderi rezulton se: “Me datën 11.08.2023 e deri më datë 18.01.2024 rreth orës 13:30 minuta në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, respektivisht nga Ndërtesa Kadastrale e Komunës së Prishtinës, i pandehuri Bekim Baftijaraj në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “NBT ING” SH.P.Ki cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë, e që me veprim të rrezikshëm apo mjete të rrezikshme, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe dem të konsiderueshëm pasuror në atë mënyre që, me rastin e punimeve nuk kryen si duhet punët në sanimin e kulmit të ndërtesës ku ka filluar ekzekutimin e kontratës me ç’rast ka kryer punë tjera e jo ato sikur në pozicionet 2.2,2.3,5.1, 5.13 dhe 5.14, të kontratës së lartcekur i cili kulm një pjesë e sajë bie në tokë në pjesën e rrugës qarkulluese, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën Elza Ujkani, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër veturat e parkuara përreth.
Pesë muaj nga rënia e kulmit, Prokuroria po vazhdon hetimet
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të parë se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin, përkatësisht kur pritet të ngritët aktakuza.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj konfirmoi për Insajderi se ende janë në fazën e mbledhjes provave.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se kjo çështje penale është në fazë të mbledhjes së provave, pra akoma janë duke u zhvilluar hetimet nga Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë”, tha Ulaj për Insajderin.
Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi se ndaj të dyshuarve Ylber Jashari dhe Bekim Baftjari të caktohet masa e njëjtë, pra “Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar”.
Sipas gjykatës, masa Ndalim për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, është e mjaftueshme për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës penale, në këtë çështje penale në: sigurimin e pranisë së të pandehurit; në parandalimin e ndikimit në dëshmitar të mundshëm apo edhe në ndikim në të bashkëpandehur.
/Insajderi