×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Si e pësoi 23 vjeçarja nga kulmi që u dhanë 400 mijë euro në vitin 2023? Komuna dhe kompania përgjegjëse heshtin

    Insajderi
    19 January 2024 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një 23-vjeçare ka marrë lëndime të rënda ditën e djeshme për shkak të rënies së çatisë së Komunës së Re të Prishtinës. Për këtë objekt në viti 2009 ishin shpenzuar 4 milionë euro. Ndërsa vetëm vitin e kaluar u shpenzuan 386 mijë euro për renovim të kulmit. Kompania fituese por edhe Komuna kanë heshtur lidhur me rastin, shkruan Insajderi.

    Gazeta Insajderi

    Rikonstruktimi që Komunës së Prishtinës i kushtoj afro 400 mijë euro i solli lëndime një qytetareje, ajo i është nënshtruar mbrëmë një operacioni.

    Komuna në gusht të 2023 kishe shpallur fitues për tenderin “Rikonstruim i kulmit të objektit të Komunës së re“, kompaninë “NBT-ING”.

    Ky tender me të cilin u shpërblye kompania nga Suhareka ka vlerën prej 386 mijë euro. Por, që këto nuk mjaftuan që punimet aty të jenë të sigurta dhe pa rrezik.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në kompaninë e përmendur por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Edhe Komuna e Prishtinës veproi njësoj duke zgjedhur të hesht ndaj pyetjeve lidhur me rastin.

    Ky objekt i përuruar në vitin 2009 i ka kushtuar komunës plot 4 milionë e 370 mijë euro. Prej tyre 200 mijë euro ishin dhënë si donacion nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që kanë qenë të destinuar për sallë dhe po ashtu mbi 300 mijë dollar nga Banka Botërore.

    Si ra çatia e objektit të ri të Komunës së Prishtinës

    Pas erërave të forta çatia e objektit të ri të Komunës së Prishtinës në Arbëri ra në tokë. E nga çatia e këtij objekti e pësoi një vajzë 23 vjeçare. Ajo mori lëndime të rënda trupore.

    Ajo i është nënshtruar mbrëmë një operacioni, ndërkohë trajtimi i saj është duke vazhduar në Mjekimin Intenziv Qendror.

    E lënduara është Elza Ujkani, motra e deputetes së VV-së, Fjolla Ujkani.

    Detaje mbi gjendjen e saj sot për Insajderin ka dhënë shefi i këtij reparti, Shaqir Uka.

    Trajtimi i saj është bërë në gjendje të fjetur, momentalisht thotë se gjendja e saj relativisht është stabile.

    “Pacientja që i referoheni pas kryrjes së ekzaminimeve ajo është dashur që t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik në orët e mbrëmjes nga ekipa e mjekëve neurokirurg për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës. Pas intervenimit kirurgjik, pacientja ndodhet në Mjekimin Intenziv ku edhe më tutje do të marrë tretmanin”, ka thënë ai.

    “Gjendja e saj është relativisht stabile për momentin këto parametrat vital edhe pse lëndimet janë serioze. Pacientatja është flejtur nën ndikimin e bararërave”, ka deklaruar ai për Insajderin.

    Kryetari i komunës, Përparim Rama ka kërkuar hetim të rastit. Ndërsa sot nuk është duke vazhduar puna në objektin e e Komunës në Arbëri./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark