
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve dhe kërcënimeve të përsëritura nga Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve.
AGK-ja ka dënuar deklaratën e tij skandaloze të bëra gjatë një konference për media të mërkurën, ku Kurteshi i quajti gazetarët “media kriminale” dhe “të vrasësve me pagesë.”
Për më tepër, Kurteshi përdori gjuhë seksiste, duke ofenduar gazetares Besarta Hoti me fjalët “ta hangsha loçkën”, një shprehje që AGK-ja e konsideron si të papërshtatshme dhe të rrezikshme për komunikimin institucional.
Në reagimin e saj, AGK-ja theksoi se ky lloj sulmi verbal është jo vetëm një kërcënim ndaj lirisë së shtypit, por gjithashtu rrezikon sigurinë e gazetarëve.
Organizata bëri thirrje për Lëvizjen Vetëvendosje që të ndërmarrë masa urgjente për të siguruar që përfaqësuesi i saj në KQZ të ndalojë sulmet verbale dhe të respektojë lirinë e medias në Kosovë.