Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas njoftimit të gazetares së të përditshmes Zëri, Senada Halimi, e cila pretendon se është larguar nga puna pasi menaxhmenti ka kuptuar se ajo është shtatzënë.
Përmes një njoftimi për media, AGK ka thënë se “e ka pritur me shqetësim të thellë njoftimin e gazetares” dhe ka njoftuar se lidhur me rastin e ka njoftuar edhe Inspektoratin e Punës.
“Duke u bazuar në këtë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon veprimin e gazetës “Zëri” pasi vendimi i menaxhmentit bije ndesh me Ligjin e Punës si dhe ligjet e tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Njëherësh veprimi i gazetës “Zëri” paraqet diskriminim të drejtpërdrejt”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Shkëputja e marrëdhënies së punës në kohën e shtatzënisë nuk duhet të që asnjë formë të shndërrohet në praktikë të lejueshme në vendin tonë. Presim që veprimi i gazetës ‘Zëri’ të dënohet edhe nga organizata të tjera që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e posaçërisht të grave”, thuhet tutje në reagim.
Por, Shpend Dobranja, drejtor në këtë medium, ka mohuar se gazetarja është përjashtuar për faktin se është shtatzënë. Sipas tij, Halimit dhe disa gazetarëve të tjerë u ka skaduar kontrata andaj edhe janë larguar nga puna.
Për më tepër, ai ka thënë se nuk ka pasur njohuri që gazetarja Halimi ka qenë shtatzënë.
“Senada ka pasur kontratë afatshkurte, një vjeçare, dhe nuk i është vazhduar kontrata. Nuk është e vetmja, ka edhe të tjerë. Kjo ka qenë në listë moti për largim, e din ajo për shkak të situatës ekonomike që e kemi”, ka thënë ai./Insajderi.com