Insajderi
Lajme

AKK: MAPL po shkel Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe po u heq komunave 2 milionë euro të miratuara nga Kuvendi

Insajderi
30 June 2026 - 18:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
AKK: MAPL po shkel Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe po u heq komunave 2 milionë euro të miratuara nga Kuvendi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Qeverisë së Kosovës për përgjysmimin e fondeve të Grantit të Performancës Komunale, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas reagimit të AKK-së, fondi për Grantin e Performancës Komunale është reduktuar në mënyrë të njëanshme nga 4 milionë euro në 2 milionë euro, ndonëse Kuvendi, përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ka miratuar shumën prej 4 milionë eurosh për këtë program.

Bordi thotë se pa rishikim të buxhetit nga Kuvendi, asnjë institucion nuk ka të drejtë të ndryshojë shumën e miratuar me ligj.

“Ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave”, thuhet në reagim.

AKK vlerëson se Kuvendi është institucioni i vetëm që ka kompetencë të miratojë ndarjet buxhetore dhe se asnjë ministri nuk ka mandat ligjor të përgjysmojë fondet e përcaktuara me ligj.

Sipas Bordit, mjetet prej 4 milionë euro janë dedikuar ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale dhe vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së.

Në reagim thuhet gjithashtu se komunat duhet të kenë siguri dhe parashikueshmëri financiare për planifikimin e investimeve dhe projekteve të tyre, ndërsa ndryshimi i rregullave gjatë vitit buxhetor cenon drejtpërdrejt këtë parim dhe krijon pasiguri për të gjitha komunat.

Bordi i AKK-së kërkon rikthimin e menjëhershëm të shumës së plotë prej 4 milionë euro, ashtu siç është miratuar nga Kuvendi përmes Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.

Po ashtu, kërkohet ndalimi i çdo veprimi administrativ që bie ndesh me ligjin dhe cenon autonominë financiare të komunave, si dhe respektimi i plotë i vendimeve të Kuvendit dhe i parimeve të shtetit ligjor.

Në fund, AKK paralajmëron se, në bashkëpunim me komunat, rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesave të komunave dhe për zbatimin e ligjit.

“Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, përfundon reagimi i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark