Aleanca Kosova e Re ka thënë të mërkurën përmes një komunikate për media se në këtë parti po aderojnë njerëz të ri dhe se procesi i brendshëm zgjedhor është duke u zhvilluar me sukses.
“AKR suksesshëm është duke u riorganizuar nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës. AKR është e vetëdijshme për zhgënjimin e madh të qytetarëve në lidershipin politik dhe institucional të vendit, andaj është e përkushtuar që të prezantojë fuqishëm alternativën për zhvillimin ekonomik të vendit,” thuhet në komunikatën e AKR-së.
Sipas partisë së ish-presidentit Behgjet Pacolli, ky riorganizim do t’i mundësoje rikthimin në skenën politike.
“AKR fuqishëm po kthehet dhe do te jetë gjithmonë në krah të qytetarëve duke ofruar perspektivë zhvillimore dhe mundësi për përmirësimin e standardit jetësor, pa pretendime të përfitimeve personale dhe talljeve me qytetarët siç është bërë përditshmëri e disa individëve që tërë jetën nuk kanë krijuar asgjë pos shfrytëzimit të situatave për arsye përfitimesh personale”.
Ditë më parë, lideri i AKR-së, Pacolli, ka thënë që synon që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend të arrij mjaftueshëm vota që të ketë pozitë udhëheqëse në ekzekutivin e vendit./Insajderi.com