Lulëzim Sylejmani, Prokuror në Zyrën e Aleksandër Lumezit, është lënduar rëndë, ndërsa, një person tjetër ka pësuar lëndime nga një aksident që ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në afërsi të Gjakovës. Zyrtarë të QKUK-së kanë konfirmuar se njëri prej të lënduarve është dërguar për trajtim jashtë shtetit.
Aksidentin e ka konfirmuar Kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj, i cili ka thënë për Express se Sylejmani është në gjendje të rëndë.
“Lulzim Sylejmani është i lënduar. Aksidenti ka ndodhur jashtë zonës tonë”, ka thënë Kryeprokurori Selimaj.
Ai ka treguar se mbrëmë kanë pasur një organizim për fundvit ku ka pasur edhe të ftuar nga Prishtina.
“E kemi pasur një ndenj të fundvitit, ne Prokuroria e Shtetit. Kam biseduar në mëngjes me të, gjendja e tij është shumë e rëndë. Vetura ka dalë nga rruga”, ka shtuar ai.
Selimaj ka thënë se për detaje tjera duhet të kontaktohet Zyra e Kryeprokurorit, Alekander Lumezi, mirëpo as zëdhënësja Liridona Kozmaqi dhe as Zëdhënësi i Këshillit Prokurorial, Ekrem Lutfiu nuk janë përgjigjë.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e kanë konfirmuar se dy persona janë pranuar si pasojë e një aksidenti, njëri nga të cilët është transferuara për mjekim jashtë vendit.
“Ju konfirmojmë se dy persona pas aksidentit të sotëm janë transferuar në QKUK për ndihmë mjekësore. Pas ndihmës nga stafi kujdestar i Klinikës Emergjente dhe ekipeve tjera specialistike kujdestare nga klinikat tjera, njëri është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për ndihmë të mëtejme meqë ka disa lëndime ortopedike, përderisa tjetri në gjendje më të rënduar është transferuar për mjekim jashtë vendit”, ka konfirmuar Zyra për Informim e QKUK’së, për Gazetën Express.
Zyrtarë të Komunikacionit në Policinë e Kosovës kanë thënë se dyshimi i parë është se aksidenti ka ndodhur për shkak të përdorimit të alkoolit.