×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Aktakuzë ndaj Arben Esatit, mjekut nga Tetova që kanosi gazetarin Bujar Vitija

    Insajderi
    13 September 2023 - 11:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Speciale ka njoftuar për ngritje të aktakuzës ndaj Arben Esatit, mjekut nga Tetova i cili akuzohet për kanosje të gazetarit Bujar Vitija.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, Esati kanosi gazetarin Vitija lidhur me një raportim për të në mediumin e shkruar online Gazeta Shneta, raporton Gazeta Insajderi.

    “Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, rreth orës 23:30 në Prishtinë, pasi i dëmtuari B.V., në cilësinë e gazetarit, paraprakisht kishte publikuar një artikull në portalin “Gazeta Shneta”, lidhur me specializimin e të pandehurit, ky i fundit i revoltuar nga ky shkrim, me qëllim të frikësimit, nga llogaritë e tij në rrjetin social “facebook”, e kanosë seriozisht të dëmtuarin duke i shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

    Gazeta Shneta vitin e kaluar raportoi për dyshime lidhur me specializimin e të akuzuarit në fjalë. Sipas raportimit, Esati ka kryer specializimin në QKUK, por mjekët e klinikës ku ai specializoi nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin e tij. Kësisoj, artikulli vendoste në dyshim specializimin e të akuzuarit, i cili sipas raportimit nuk i vijoi të gjitha procedurat e nevojshme drejt specializimit për anesteziolog. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark