×
  • Showbiz
  • Show

    Akuzat e rënda ndaj Diddyt – flet për herë të parë nëna e tij

    Insajderi
    07 October 2024 - 15:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nëna e reperit P.Diddyt, të dielën, ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës ka mbrojtur djalin e saj, i cili ndër të tjera po akuzohet për sulm seksual, shantazh, trafikim seksual, detyrim, drogim si dhe prostitucion.

    54 vjeçi, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs është deklaruar i pafajshëm, ndërkohë që ndodhet në një qendër burgimi në New York, shkruan CBS News.

    Në deklaratën e lëshuar përmes avokatit të saj, Janice Smalls Combs ka thënë se “ishte e papërballueshme” që ta shohë “atë që duhet të jetë si një linçim publik i djalit tim përpara se ai të ketë pasur mundësi të dëshmojë se është i pafajshëm”.

    Pastaj ajo ka përmendur se djali i saj “ka bërë gabime në të kaluarën e tij” dhe i referohet episodit të vitit 2016 që u kap në kamerat e sigurisë, ku Combs shihet duke rrahur ish-të dashurën e tij, Cassie Ventura, në një hotel në Los Angeles.

    Në muajin maj, Combs, për këtë video, pati kërkuar falje publike përmes një videoje të publikuar në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, ku pati thënë se sjellja e tij ishte “e pafalshme” dhe se e merr “përgjegjësinë e plotë” për veprimin e tij.

    Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Cassie, emri i vërtetë i të cilës është Cassanda Ventura, pati ngritur padi kundër ish-të dashurit të saj për 10 vjet, Combs, duke e akuzuar për dhunim e abuzim ndërkohë që ishin në lidhje. Ai i pati mohuar akuzat dhe menjëherë të nesërmen patën arritur një marrëveshje kushtet e së cilës nuk janë bërë publike.

    “Djali im ndoshta nuk ka qenë tërësisht i sinqertë për disa gjëra të caktuara, si për shembull mohimi se asnjëherë nuk e ka sulmuar me dhunë ish-të dashurën, ndërkohë që kamerat e hotelit e thanë të kundërtën. Nganjëherë e vërteta dhe gënjeshtra lidhen shumë ngushtë në mes vete saqë bëhet e tmerrshme vetëm që ta pranosh se ka ndodhur njëra pjesë e asaj historie, sidomos kur ajo e vërtetë është jashtë normës, është tejet e komplikuar për t’u besuar. Për këtë arsye besoj se ekipi ligjor i djalit tim vendosi të bëj marrëveshje me ish-të dashurën e tij në vend se ta kontestonin deri në fund, duke rezultuar në një efekt të gabueshëm pasi qeveria shtetërore e përdori këtë vendim kundër djalit tim duke e interpretuar atë si një pranim faji”, ka thënë Smalls Combs.

    Ajo ka shtuar se ndien agoni kur sheh njerëzit duke bërë shaka me situatën e djalit të saj, e cila sipas saj, u ndërtua mbi gënjeshtra e keqkuptime.

    Në fund të deklaratës ajo ka kërkuar nga adhuruesit dhe publiku të mos e gjykojnë djalin e saj “para se të keni mundësi që të dëgjoni anën e tij të historisë”.

    “Djali im nuk është monstrum, e ngjyrosën që të duket ashtu. Lutem që të jem gjallë ta shikoj të thotë të vërtetën dhe të justifikohet”.

    Në aktakuzë, prokurorët pretendojnë se që nga viti 2008, Combs, ka qenë pjesë e një organizate kriminale që është përfshirë ose ka tentuar të përfshihet në trafikim seksual, detyrim për punësim, rrëmbim, zjarrvënie, ryshfet, pengim të drejtësisë e vepra të tjera.

    Prokurorët e akuzojnë Combsin për përdorim të konglomeratit të tij biznesor si organizatë kriminale për të fshehur abuzimet e pretenduara të grave në ndejat, të cilave Combs iu referohet si “ndeja të çmendura (Freak Offs)”.

    “Ndejat e çmendura’ ndonjëherë zgjatnin me ditë të tëra, ku përfshiheshin shumë punonjës seksi, ku shpesh përfshiheshin variante të ndryshme të drogave, të tilla si ketamina, ekstazia dhe GHB, të cilat Combs ua jepte viktimave në mënyrë që t’i bindeshin për çfarëdo”, u ka thënë gazetarëve prokurori, Damian Williams, pasi u zbulua aktakuza.

    Më 1 tetor, avokati nga Teksasi, Tony Buzbee ka thënë se ai do të përfaqësoje 120 akuzues të cilët pretendojnë të jenë sulmuar seksualisht nga Combs. Ai ka thënë se pret që paditë të ngritën brenda muajit të ardhshëm. Buzbee ka thënë se janë 60 gra e 60 burra, dhe se 25 prej tyre ishin të mitur kur kanë ndodhur sulmet e pretenduara.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark