×
  • Lajme
  • Insajderi

    Akuzat e Sindikatës, Kryetari i bordit të RTK-së flet për Insajderin

    Insajderi
    21 March 2022 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka reaguar ashpër për mënyrën e monitorimit për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK.

    Në reagimin e tyre të gjatë në Facebook, përmendet edhe kryetari i Bordit të RTK, Besnik Boletini. Nga kjo sindikatë janë shprehur se qasja e kryetarit të Bordit ndaj përfaqësueses së Sindikatës (SPRTK), Albana Murseli ka qenë arrogante. Thonë se nuk iu është lejuar as të flasin.

    Ndër tjera shprehen se Boletini ka qenë i ndikuar nga monitoruesja, Flutra Kusari.

    “Para se të publikohej vlerësimi përfundimtar nga Bordi i RTK-së, Kryetari Besnik Boletini në prani të tjerëve kishte “menduar me zë” duke thënë: “Tash vjen Flutura dhe na tregon se çka duhet me vepru”, thuhet në reagim.

    Për këto akuza Gazeta Insajderi ka telefonuar vet Boletinin, për të parë se cili është qëndrimi i tij.

    Boletini është telefonuar dy herë. Fillimisht është shprehur se nuk e ka parë reagimin. Kur është telefonuar për herën e dytë sërish është shprehur se nuk ka kohë  të merret me sindikata, teksa shtoi sërish që nuk e ka pa reagimin.

    “Për besë nuk kam kohë me u marrë me Sindikata, jemi me shumë punë tjera. Mua nuk më ka ardhë asnjë imell zyrtare. Nuk e di se as çka kanë thënë. Unë jam duke u marrë me disa punë jashtë zyrës kështu që nuk kam naj farë komenti aspak”, ka thënë kryetari i Bordit të RTK-së për Insajderin.

    Nga kjo sindikatë kanë akuzuar monitoruesen, Flutura Kusari e cili sipas tyre ka reaguar përmes gjuhës së trupit dhe ka ndikuar drejtpërdrejtë në proces.

    Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një koment edhe nga Kusari, por e njëjtë deri tani nuk ka dhënë përgjigje.

    Ndërkohë, për pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës kanë aplikuar gjithsej 18 kandidatë.

    Kandidatët me më së shumti pikë janë: Shkumbin Ahmetxhekaj – 158.7, Bekim Hasani – 155.6, Gjergj Filipaj – 133.4, Arben Berisha – 131, Adriana Kutllovci – 90.1

    Bazuar në reagimin e Sindikatës: Tre kandidatët të cilët e kishin kaluar testin me shkrim, Z. Fadil Hoxha, Z. Hysen Hundozi dhe Z. Fisnik Durguti janë tërhequr nga gara, pas publikimit të pikëve identike për secilën pyetje, që u kishin dhënë tre Anëtarët e Bordit kandidatit Z. Shkumbin Ahmetxhekaj.

    “Këta kandidatë ishin deklaruar se: nuk mund të vazhdojnë tutje garën karshi këtij skandali për të cilin do të vazhdojnë betejën e tyre në organet kompetente të drejtësisë”, thuhet në reagim.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark