Kosova do të presë këtë të martë Andorrën në “Fadil Vokrri”, për ndeshjen e dytë të fazës eliminatore të EURO 2024.
Duke folur në konferencën për mediet në prag të këtij takimi, përgjedhësi Alain Giresse u shpreh se ndaj Izraelit u mor rezultat pozitiv, ndërsa më tej shton se ndonëse nuk duhet nënvlerësuar ndaj Andorës kërkohet fitorja.
“Vijmë nga një rezultat pozitiv dhe do tentojmë që ta mbajmë këtë ecuri pozitive edhe ndaj Andorrës”.
“Rezultatin me Izraelin mund ta quaj pozitiv edhe pse mund të kishim marrë edhe fitore. Ekipi bëri një paraqitje të mirë”, deklaroi fillimisht ai.
Tutje ai tha se formacionin nuk do ta tregojë asnjëherë para ndeshjes, ndërsa u ndal edhe tek problemet e skuadrës.
“Formacionin nuk mund ta tregoj, pasi nuk dua që kundërshtari ta marrë vesh kurrsesi sesi do luajmë. Nuk do ta zbuloj kush do të luajë, madje as lojtarët nuk e dinë.”
“Pjesën e parë e kemi nisur me vetëm një mesfushor qendror më konkretisht me Dresevic dhe kjo ka prishur pak punë, ndryshe nga pjesa e dytë, kur kemi pasur dy mesfushor qendrorë”, deklaroi ai.
Ai u ndal më gjërësisht edhe tek Andorra, që konsiderohet kundërshtar i dobët.
“Nuk duhet neglizhuar Andorra dhe nuk duhet konsideruar e dobët. Ka pak rëndësi kë kemi përballë, i rëndësishëm është kompeticioni në të cilin luajmë, ndaj duhet treguar seriozitet”.
“Cila do të jenë pasojat nëse nuk fitojmë nuk mund ta di, por e sigurt është që në e nisim këtë sfidë për fitore. Të gjithë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij takim”, nënvzoi Giresse.
Ai në fund tha se është i lutur që Leart Paqarada është kthyer.
“Jam i lumtur që Paqarada është kthyer në Kombëtare ashtu si edhe ai vetë, jam i lumtur me performancën e tij dhe me shpirtin luftarak që tregon në fushën e lojës”.
“Lojtarë të rinj për mesfushën? Jo vetëm sa i përket mesfushës në përgjithësi ne po punojmë për të sjellë lojtarë të rinj, pastaj mos të harrojmë se ka lojtarë me dy shtetësi që hezitojnë”, ka thënë ai.