Ministria e drejtuar nga Armend Mehaj, ka marrë një informatë shokuese nga një hetues i Policisë së Kosovës.
Hetuesi i ka alarmuar se kompania e kontraktuar për të ushqyer ushtarët e Kosovës është nën hetime për falsifikim të dokumenteve të cilësisë së ushqimit. Mirëpo, deri më tash ministria e Mehajt nuk ka ndërmarrë kurrfarë masë ndëshkuese ndaj kompanisë “Beni Dona”, në pronësi të Ragip Mustafës biznesmenit të afërt me LDK-në, njëherësh mik i ngushtë i Agim Veliut.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, fillimisht kishte kërkuar nga ministria Federale e Drejtësisë gjermane, që të vërtetoheshin nëse dokumentete që kishte përdorur “Beni Dona” për tenderin për ushqim në Ministinë e Mbrojtjes, ishin të falsifikuara.
Autoritetet gjermane kishin i kishin konfirmuar, Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë se dokumentet janë të falsifikuara.
Sipas, këtyre shkembimeve të dokumenteve drejtori i kompanisë gjermane “Royal Cert” Muhammet Alpan Namli, konfirmon se certifikatat e “Beni Dona Plast” nuk janë të lëshuara nga kompania e tij. Ai madje deklaron se nuk është në dijeni se kush i ka lëshuar certifikatat e falsifikuara.
Për më tepër drejtori Alpan Namli, thotë se në shtator të vitit të kaluar, konkretisht me datë 11.09.2020, është kontaktuar edhe nga një hetues i policisë së Kosovës dhe ia ka konfirmuar të njëjtën gjë.
Drejtori i kësaj kompanie gjithashtu informon autoritetet kosovare, se kanë kontaktuar direkt edhe edhe zyrtarët e kompanisë “Beni Dona Plast”. Ai thotë të ketë kërkuar nga ta që t’i heq këto certifikata nga përdorimi në të kundërtën do të ndërmarrin veprime ligjore.
Pasi që hetuesit e Policisë së Kosovës, kishin siguruar këto dokumente nga kompania gjermane “Royal Cert”, me datën 17 shtator kishin informuar në detaje Sekretarin e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Ne ju informojmë se Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast SHPK” me rastin e dorëzimit të ofertës në aktivitetin e prokurimit me titull: Shërbimet me ushqim (furnizimi, përgatitja dhe servimi: nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ka dorëzuar dokumente të falsifikuara ISO certifikata ISO 9001: 2015 dhe ISO 22000:2005, ku pas udhëzimeve të Prokurores së lëndës, Merrushe Llugiqi ne ju bashkëngjisim shkresat zyrtare të siguruara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
IndeksOnline shkruan se në një shkresë të Ministrisë së Brendshme dërguar Ministrisë së Mbrojtjes të protokolluar me datë 20 shtator të këtij viti, Policia e Kosovës konfirmon se është duke zhvilluar hetime me autorizimin e Prokurorisë Themelore për dyshimin e arsyeshëm të veprës penale: Legalizim i përmbajtjes së rreme dhe Keqpërdorim i autoritetit dhe pozitës zyrtare.
Sipas tyre, pavarësisht gjithë kësaj, Ministria e drejtuar nga Mehaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në raport me kompaninë që vazhdon të ushqejë ushtrinë e Kosovës, përkundër falsifikimit të dokumentit për ISO-standarde as pas tre muajsh që nga ajo kohë.
Sipas Indeksonline përvec që Ministria e Mbrojtjes nuk ia ka ndërprerë kontratën kompanisë “Beni Dona Plast” ashtu siç edhe parashihet me ligjin e prokurimit public, as Prokuroria nuk ka ndërmarr asnjë masë ndaj personave përgjegjës të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast, ashtu siç parashihet me ligj.
Dokumentet e falsifikuara nga “Beni Dona” për kontratën mbi 8 milionë euro për ushtarët
Tenderi i Ministrisë së Mbrojtjes, për për të ushqyer ushtarët që iu dha kompanisë së Ragip Mustafës “Beni Dona”, peshon mbi 8 milionë euro.
Për shkak të ankesave të operatorëve pjesmarrës në tender, rasti kishte shkuar në Organin Shqyrues të Prokurimit Publik, i njohur si Gjykata e Tenderëve.
Ministria e Forcës së Sigurisë, për tri herë radhazi kishte vendosur që kontrata t’i jepej grupit të operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”. Ata i kishte vlerësuar në të tri rastet si ofertues të përgjegjshëm.
Vlerësim i njëjtë nuk i ishte dhënë edhe kompanisë “Beni Dona Plast”.
Kontrata, tri herë me radhë, me vendime të OSHP-së, ishte kthyer në rivlerësim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, e cila, më 19 dhjetor 2019, më në fund njoftoi se kontrata i është dhënë “Beni Dona Plast”.
Kompania e Ragip Mustafës, kishte fitua tendering me çmim prej 8.417.800.00 euro apo 1.206.800.00 euro çmim më i lartë sesa oferta e “Global Parajsa & Cianoo Trading & Services”, i cili për tri herë më parë ishte shpallur fitues.
Beteja kishte vazhduar në OSHP. Madje në seancën e fundit të mbajtur në OSHP, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, kishin ofruar dëshmi përmes të cilave pretendohej se “Beni Dona Plast” kishte falsifikuar dokumente, përkatësisht dy certifikata ISO.
Por këto pretendime të shpalosura në seancën publike të OSHP-së, nuk janë marrë fare parasysh nga paneli i OSHP-së.
ISO certifikatat e kontestuara, të deponuara nga “Beni Dona Plast”, figurojnë si të lëshuar nga “Royal Cert International”. Bëhet fjalë për certifikatën ISO 22000, dhe për certifikatën ISO 9001.
Por, drejtori i kompanisë gjermane “Royal Cert” Muhammet Alpan Namli, konfirmon se certifikatat e “Beni Dona Plast” nuk janë të lëshuara nga kompania e tij. Ai madje deklaron se nuk është në dijeni se kush i ka lëshuar certifikatat e falsifikuara. /Insajderi.org