×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    “Albas” boton romanin “Lepuri prehet” të John Updike

    Insajderi
    11 November 2023 - 22:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtëpia botuese tiranase “Albas” ka botuar romanin “Lepuri prehet” të shkrimtarit të njohur amerikan, John Updike.

    Ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe nga Granit Zela dhe është vepra e fundit e serisë së katër romaneve të prozatorit të njohur amerikan për Herry “lepur” Engstrëmin. Po ashtu, “Lepuri prehet” është një roman që ia solli autorit shpërblimin e madh “Pulitzer” për vitin 1991.

    John Updike (1932-2009) lindi në Reading, Pensilvani dhe i kaloi vitet e para në Shillingtonin fqinj, një qytet i vogël ku i ati ishte mësues i shkencave ekzakte në shkollë të mesme. Zona përreth Reading-ut dhe Shillington-it janë mjediset ku zhvillohen ngjarjet e shumë prej historive të tij, me qytetet e trilluara të Bruërit (Romanet për Lepur Engstrëmin, “Lepur, vrapo” 1960, “Lepuri kthehet”, 1971, “Lepuri është i pasur” 1981, (Çmimi Pulitzer) dhe “Lepuri prehet”, 1990, (Çmimi Pultizer) dhe Olingërit (“Historitë e Olingërit”, 1964). Fëmijë i vetëm, Updike dhe prindërit jetuan në një shtëpi me gjyshërit gjatë për pjesës më të madhe të fëmijërisë. Kur ishte 13 vjeç, familja u shpërngul në vendlindjen e nënës, në një fermë pranë Plowville-it, 11 milje larg Shillington-it, ku vazhdoi shkollimin.

    Në shtëpi, lexonte krijime popullore, veçanërisht libra zbavitës dhe të zhanrit të mistereve. E ëma, mëtonjëse për të qenë shkrimtare, e nxiti të shkruante dhe të vizatonte. Shkëlqeu në shkollën e mesme të Shillington-it. Për tre verat e para pas shkollës së mesme, punoi si gazetar i ri në gazetën Reading Eagle, duke shkruar shumë tregime artistike për gazetën. Updike fitoi një bursë studimi në Universitetin e Harvardit. Si student, shkroi tregime dhe vizatoi karikatura për revistën humoristike të Harvardit, si president i revistës në vitin e fundit të studimeve. Para se të diplomohej, u martua me kolegen, Mary E. Pennington. U diplomua me medalje si student i shkëlqyer në Harvard në vitin 1954, dhe po atë vit botoi një poemë dhe një tregim në revistën The New Yorker duke u shpërblyer finaciarisht për të dyja krijimet letrare.

    Updike dhe e shoqja e kaluan vitin e ardhshëm në Angli, ku ai studioi në Shkollën Ruskin të Vizatimit dhe të Arteve të Bukura të Oksfordit. Atje lindi vajza e tyre dhe Updike takoi shkrimtarët amerikanë E. B. White dhe Katharine White, redaktorë në The New Yorker, të cilët e nxitën të kërkonte një punë në revistë. Pas kthimit nga Anglia, familja Updike u banoi në Manhatan, ku ai filloi punë si pjesëtar i The New Yorker. Punoi në revistë për gati dy vjet, duke shkruar editoriale, artikuj dhe komente, por pas lindjes së një djali në vitin 1957, vendosi të shpërngulej bashkë me familjen në rritje në qytetin e vogël të Ipswich, Masaçusetit. Vazhdoi të kontribuonte në The New Yorker, por vendosi të mbështesë familjen duke shkruar me kohë të plotë, pa pasur një punë me rrogë. Me The New Yorker mbajti marrëshënie gjatë gjithë jetës, duke botuar në faqet e saj shumë nga poezitë, recensionet dhe tregimet, por jetoi vazhdimisht në Masaçuset.

    Libri i parë me poezi, u botua në vitin 1958. Kur botuesi kërkoi ndryshime në fundin e romanit të parë, “Panairi i varfërisë”, ai ndërroi botues, duke e botaur te Alfred A. Knopf, Inc. Romani i parë u prit mirë dhe me mbështetjen e një burse për të shkruarit, Updike ndërmori shkrimin e një romani më ambicioz, “Lepur, vrapo”. Romani ishte rreth jetës së njërit prej personazheve më të paharrueshëm të Updike-ut, basketbollistin e qytezës së Bruërit, Herri “Lepur” Ensgtrëm. Botuesi Knopf kishte frikë se përshkrimi i sinqertë i aventurave seksuale të Lepurit mund të çonte në ndjekje penale dhe bëri një sërë ndryshimesh në tekst. Libri u botua duke u vlerësuar dhe nuk pati pasoja ligjore. Teksti origjinal u ribotua në Britani dhe disa vite më vonë, edhe në SHBA. Me këtë roman, autoriteti i Updike-ut si autor i rëndësishëm i brezit të tij ishte krijuar.

    Pas lindjes së një fëmije të tretë, Updike mori me qira një zyrë me një dhomë sipër një restoranti në Ipswich, ku shkruante disa orë çdo mëngjes, gjashtë ditë në javë, një orar që e respektoi gjatë gjithë karrierës së tij. Në vitin 1963, mori Çmimin Kombëtar të Librit për romanin “Centauri”, i frymëzuar nga fëmijëria në Pensilvani. Një vit më pas, në moshën 32-vjeçare, u bë shkrimtari më i ri i zgjedhur ndonjëherë në Institutin Kombëtar të Arteve dhe Letrave dhe u ftua nga Departamenti i Shtetit për të vizituar Evropën Lindore si pjesë e një programi shkëmbimi kulturor midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1967, u bashkua me autorin Robert Penn Warren dhe shkrimtarë të tjerë amerikanë në nënshkrimin e një letre që u kërkonte shkrimtarëve sovjetikë të mbronin institucionet kulturore hebreje nga sulmet e qeverisë sovjetike. Në vitin 1968, romani i Updike “Çiftet”, ishte një sensacion kombëtar me portretizimin e marrëdhënieve të ndërlikuara të disa çifteve të reja të martuar në periferi. Ishte në listat e librave më të shitur për më shumë se një vit dhe u bë shkak që Updike-ut t’i kushtohej ballian e revistës Time me titullin “Shoqëri kurorëshkelëse. Në romanin “Beku: një libër (1970), Updike ka një protagonist të ri, romancierin e trilluar Henri Bek, i cili, ashtu si Lepur Engstrëmi, do të rishfaqej në letërsinë e tij për shumë vite. Lepur Engstrëmi u rishfaq në romanin “Lepuri kthehet (1971).

    Në vitet 1970, vazhdoi të udhëtonte si ambasador kulturor i Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1974 ai iu bashkua autorëve John Cheever, Arthur Miller dhe Richard Wilbur duke i bërë thirrje qeverisë sovjetike të ndalonte persekutimin e autorit disident Alexander Solzhenitsyn. Updike u nda nga Mary në vitin 1974 dhe u shpërngul në Boston, ku dha mësim për një kohë të shkurtër në Universitetin e Bostonit. Dy vjet më vonë, u divorcua dhe në vitin 1977 u martua me Martha Ruggles Bernhard-in, duke jetuar me të dhe tre fëmijët e saj në Georgetown, Massachusetts.

    “Lepuri është i pasur”, botuar në vittin 1981, mori çmime të shumta, duke përfshirë Çmimin Pulitzer për prozën. Në vitin 1983, alter egoja tjetër e Updike, Herri Bek, u rishfaq në “Beku kthehet”, dhe Updike doli në ballinën e Tiems për herë të dytë, me tiltullin “Duke shkëlyer në të 50-tat”. Ndër romanet e tij të viteve 1980 dhe 1990 janë një trilogji që ritregon “Damka e turpit” të Hawthorn-it nga këndvështrimi i tre personazheve të ndryshëm, dhe një histori paraprirëse të Hamletit, me titull “Gertruda dhe Klaudi”. Ndër recensat për botimet në anglisht që botoi në The New Yorker, gjatë vitin 1987, Updike shkroi edhe recensën vlerësuese për romanin e Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”.

    Në vitin 1991 ai mori një çmim të dytë Pulitzer për “Lepuri prehet” duke u bërë amerikani i tretë që fitoi një çmim të dytë Pulitzer në kategorinë e krijimit letrar. Duke e përshkruar temën mbizotëruese të romaneve të tij si “qyteti i vogël amerikan, klasa e mesme”, Updike ishte i njohur për mjeshtërinë e të shkruarit dhe krijimtarinë e begatë me 22 romane, më shumë se një duzinë përmbledhjesh me tregime, si dhe libra poezi, kritikë letrare dhe libra për fëmijë. Qindra tregime, komente dhe poezi të tij janë botuar në The New Yorker që nga vitet 1950. Veprat e tij shpesh hulumtojnën çështjen e besimit, seksit, dhe vdekjes, dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Në një ese autobiografike, ai identifikoi artin, seksin, dhe fenë si “tre sekretet e mëdha të mistershme” në përvojën njerëzore. Nipi i një pastori presbiterian , letërsia e tij në të gjitha zhanret ka shfaqur interes për çështjet filozofike.

    Updike u vlerësua me Medaljen Kombëtare të Artit në vitin 1989 dhe në vitin 2003 iu dha Medalja Kombëtare për Shkencat Humane. Ishte një pak amerikan që u nderua me të dyja. Në të njëjtin vit u botua një përmbledhje gjithëpërfshirëse, “Tregimet e hershme”, 1953-1975.

    Autor i rreth 60 librave dhe fitues i rreth 40 vlerësimeve dhe çmimeve letrare, Updike i kaloi vitet e fundit në Beverly Farms, Masaçusets. Ai vdiq në vitin 2009 në moshën 76-vjeçare.

    ROMANET E LEPUR ENGSTRËMIT: Leuri, vrapo (1960), Lepuri kthehet (1971), Lepuri është i pasur (1981), Lepuri prehet (1990), Lepur Engstrëmi: katër romanet (1995), Lepuri kujtohet (një novelë, pjesë e përmbledhjes “Grimca dashurie”) (2001).

    ROMANET PËR HENRI BEKUN: Beku, një libër (1970), Beku kthehet (1982), Bech në liman (1998), Vepra e plotë për Henri Bekun (2001).

    LIBRAT PËR BJUKENËNIN [Presidenti i 15-të i SHBA-ë 1857 – 1861): Bjukenën duke vdekur (dramë) (1974). Kujtime për Administratën e Fordit (roman) (1992).

    LIBRAT PËR EASTWICK-un: Shtrigat e Eastwick -ut (1984); Vejushat e Eastwick -ut (2008).

    TRILOGJIA DAMKËS SË TURPIT: Një muaj i të dielave (1975); Versioni i Roger-it (1986); S. (1988).

    ROMANE TË TJERA: Panairi i shtëpisë së varfër (1959) Centauri (1963) Për fermën (1965) Çiftet (1968) Martohu me mua (1977) Grushti i shtetit (1978) Brazil (1994) Mes bukurisë së ambakëve (1996) Drejt fundit të kohës (1997) Gertruda dhe Klaudius (2000) Kërko fytyrën time (2002) Fshatrat (2004) Terroristi (2006).

    PËRMBLEDHJE ME TREGIME: E njëjta derë (1959), Pendët e pëllumbave (1962), Historitë e Olingërit (një përzgjedhje) (1964), Shkolla e Muzikës: tregime (1966), Muzetë dhe Gratë dhe tregime të tjera (1972), Probleme dhe tregime të tjera (1979), Shumë larg për të shkuar, (1979), I dashuri yt sapo thirri (1980), Më beso (1987), Jeta e përtejme dhe histori të tjera (1994), Tregimet e hershme: 1953–1975 (2003), Tre udhëtime (2003), Lotët e babait tim dhe tregime të tjera (2009), Historitë e familje Mepëll (2009), Përmbledhje me tregime, volumi1: Përmbledhje tegimesh të hershme (2013), Përmbledhje tregimesh, volumi 2: Tregime të vona, (2013).

    PËRMBLEDHJE ME POEZI: “Përballë natyrës: përmbledhje me poezi 1953–1993”, dhe “Amerikania and poezi të tjera (2001).

    LIBRA ME ESE DHE KRITIKË LETRARE DHE LIBRA JO LETRAR: Shkrime të ndryshme (1965), Shkrime të zgjedhura, Duke përqafuar bregun (1983), Vetë-ndërgjegjja: kujtimet (1989), Thjesht duke kërkuar: Ese mbi artin (1989), Vepra të çuditshme (1991), Ëndrra me golfin: shkrime për golfin (1996), Çështje të tjera (1999), Ende në kërkim: ese mbi artin Amerikan (2005), I dashuruar me një Wanton: Ese për golfin (2005), Vlerësimet e duhura: Ese dhe kritika (2007), Tifozët e Hub i thonë Kid Dieeu: John Updike në Ted Williams (Biblioteka e Amerikës) (2010), Thashethemet nga lart (2011), Gjithmonë në kërkim: ese për artin (2012).

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark