×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Albin Kurti, Olaf Scholz dhe Asociacioni – Çfarë po thonë gjermanët për marrëveshjen?

    Insajderi
    03 March 2023 - 13:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kancelarin federal gjerman Olaf Scholz, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka referencë të çdo hershme. Kryesisht thirret në atë se Scholz epilogun e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e sheh në njohje të ndërsjellë dhe brenda Bashkimit Evropian. Kjo ngase edhe vetë Scholz në vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd, kishte thënë se “është e pa mendueshme” që Serbia dhe Kosova të anëtarësohen në Bashkimin Evropian “pa njohje të ndërsjellë”.

    Insajderi

    Ky artikulim i Olaf Scholz – ndryshe nga deklarimet ambivalente të ish-kancelares Angela Merkel  – ka gëzuar shumë kënd në Prishtinë, e acaruar shumë kënd në Beograd.

    “Kjo është thënë nga […] kancelari Scholz, që njohja e ndërsjellë është esenca, pjesa qendrore për normalizim të plotë marrëdhënieve me Serbinë”, tha Kurti të mërkuren.

    Megjithatë, gjermanët kanë shumëçka për të thënë në lidhje me propozimin e BE’së për normalizim të marrëdhënie, propozim ky i cili gjysmën e hises e ka pikërisht gjermane. Kjo marrëveshje nuk mund të bëhet pa themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thonë nga ambasada gjermane në Prishtinë për Insajderin.

    “Kosova tani duhet të tregojë gatishmërinë për të filluar bisedime konkrete për Asociacionin e Komunave Serbe. Sepse pa të marrëveshja nuk do të jetë e mundur”, na thanë nga ambasada gjermane.

    Kthim prapa në kohë, letra e parë e Scholz drejtuar Kurtit

    Ishte gushti i vitit 2022, kur kancelari federal gjerman Olaf Scholz bashkërisht me presidentin francez, Emmanuel Macron, i kishin adresuar një letër kryeministrit kosovar, Albin Kurti.

    “Po ju adresohemi juve si lider i vendit tuaj në mënyrë që t’ju kërkojmë gatishmëri dhe vendosmëri maksimale për të marrë vendime të vështira për të bërë përparim në Dialogun e udhëhequr nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruante Scholz drejtuar Kurtit.

    Kjo letër për herë të parë njoftone për angazhimin e dy krye-këshilltarëve të liderëve të shteteve më të fuqishme të BE’së, Gjermanisë dhe Francës, në dialogun Kosovë-Serbi.

    “Rrjedhimisht ne kemi caktuar Këshilltarët tanë për Politikë të Jashtme, zotin Jens Plotner dhe zotin Emmanuel Bonne, që drejtpërsëdrejti të mbështesin përpjekjet e Miroslav Lajçak”, njoftonin ata.

    Menjeherë pas kësaj, u prodhua plan-propozimi frankogjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, plan ky i cili pas plot 5 muajsh që nga shfaqja u pranua edhe zyrtarisht nga Kryeministr i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kjo marrëveshje do të vinte në kundërpeshë një njohje “faktike” të shtetit të Kosovës nga Serbia me një nivel autonomie për serbët e Kosovës. Përkatësisht Neni 7 që përcakton “një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb” dhe Neni 10 që kërkon “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake”, përkatësisht më e theksueshmja Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    Letra e dytë e Scholz-it

    Mesazhi i dytë erdhi më 24 shkurt. Kësaj here në letër ishte nënshkruese edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Kjo letër vinte tri ditë para se të niste takimi i shumëproklamuar ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq, nga ku pritej pranimi “zyrtar dhe publik” i tesktit të marrëveshjes.

    “Ne tashmë besojmë se është urgjencë për të vendosur rrugën para me qëllimin e konkludimin e kësaj marrëveshje dhe të sigurohet zbatimi në bazën e tekstit të cilit e keni pranuar”, shkruanin tre liderët.

    Edhe një gjë tjetër kërkohej specifikisht. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

    “[…] të implementohen plotësisht dhe pa kushtëzime, të gjitha obligimet e ndërmarra në kornizën e dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumcië Serbe”.

    Kurti dhe Asociacioni, vonim apo refuzim?

    Ishte vetë ndërmjetësi sllovak për dialog, Miroslav Lajçak, ai i cili në një seri intervistasah para takimit të së hënës, shpaloi se në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kurti dhe Vuçiq “kanë dëgjuar qartësisht se çfarë pritet prej tyre” nga kancelari gjerman dhe presidenti francez.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbetet ambivalent në çështjen e Asociacionit. Në njërën anë ai ka pranuar në plotëni Nenin 7 dhe 10 të planit frankogjerman, në anën tjetër s’ka bërë lëvizje konkrete në drejtimin e Asociacionit.

    Në diskursin publik, ai e gjuan me kollajllëk frazën e famshme “Zajednica nuk kalon” ndërsa i ka dy elemente të kësaj Zajednice në marrëveshje, marrëveshje të cilin ishte i gatshëm ta nënshkruante “qysh të hënën”.

    Më 18 mars në Ohër, Kurti zhvillon takim të Nivelit të Lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku priten diskutime për modalitete specifike të Aneksit për Implementimin e Marrëveshjes, e ky Asociacionin e ka gjithsesi brenda.

    Në anën tjetër, siç thonë gjermanët për Insajderin, “nuk do të ketë marrëveshje pa u formuar Asociacioni”./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark