Lajmi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, gjashtë vite pas vdekjes së tij misterioze në qendrën e paraburgimit në Prizren, është bërë i ditur nga Ministrja Albulena Haxhiu.
Në konferencën e jashtëzakonshme për media Haxhiu tha se i di emrat e personave që kanë pasur qasje në laborator dhe se me ta po merren organet e drejtësisë, ndërkohë shtoi që veprime priten edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, shkruan Insajderi
“Unë i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion, por nuk mund t’i them sepse të njëjtit i di edhe policia e prokuroria. Sa i përket masave, na takon të ndërmarrim masa disiplinore ndaj personave përgjegjës”, tha Haxhiu.
“Komisioni disiplinor i Instituti të Mjekësisë Ligjore ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve, sot të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni nuk lejon menjëherë shkarkimin. Në përputhje me kompetencat e mia, do t’i ndërmarr masat”, tha më tej Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se të mërkurën në mbrëme është njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë.
“Mbrëmë jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar kryeprokurorin dhe drejtorin e policisë”, tha Haxhiu.
“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtëse e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për AND”.
“Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urnës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, tha Haxhiu në konferencën e jashtëzakonshme për media. /Gazeta Insajderi