Mediat britanike raportojnë se albumi i ri i Rita Orës do të përfshijë edhe muzikë që do të luhet me instrumente nga Kosova, vendin e lindjes së këngëtares me famë botërore.
“Kam zgjedhur disa instrumente që e përfaqësojnë kombësinë timë, prej nga vij” iu ka thënë mediave britanike Ora dhe ka shtuar: “Do t’i bëj bashkë ato (instrumente) dhe do e bëj këtë album që të më përfaqësojë personalisht sa më shumë që është e mundshme”.
Këngëtarja 25 vjeçare e lindur në Prishtinë është rritur në kryeqytetin britanik, Londër prej ku e ka filluar karrierën ndërkombëtare. Albumi i saj i parë i lëshuar në qarkullim në vitin 2012 mbante titullin “ORA”, ndërsa pjesë e tij ka qenë edhe kënga, “Shine Ya Light”, video spoti i së cilës është xhiruar në Kosovë, shkruan REL.
Karriera e saj shënojë ngecje si pasojë e problemeve me kompaninë e Jay Z, “Roc Nation” e cila e pengonte publikimin e albumit të dytë të saj. Mirëpo ajo tashmë ka sqaruar gjithçka ligjërisht me këtë kompani, ndërsa karrierën do ta vazhdojë me kompaninë “Warner”./Insajderi.com