Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri është shprehur i kënaqur pas humbjes parasezonale ndaj Real Madridit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Juve humbi 2-0 në Rose Bowl në Pasadena të Kalifornisë falë golave nga Karim Benzema dhe Marco Asensio.
Megjithatë, edhe përkundër humbjes, trajneri italian i Zonjës së Vjetër ka parë gjërat pozitive të skuadrës së tij, duke u shprehur i kënaqur.
“Një ndeshje e mirë, e cila përfundon një punë të mirë dhjetëditore në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë fillimisht Allegri pas ndeshjes.
“Ne u përballëm me skuadrën më të fortë në Evropë, për aq kohë sa ishte e mundur të luanim, ne e bëmë atë, duke u munduar të menaxhonim topin dhe jo duke hedhur topin larg”.
“Jam i kënaqur me punën e djemve, ende mund të rritemi shumë, ka lojtarë që duhet të kthehen”.
“Sot pati shumë shanse për të dyja palët: duhej t’i kishim menaxhuar tona me pak më shumë durim. Tani pushojmë nja dy ditë dhe pastaj kthehemi me punë, kampionati po afron”, përfundoi italiani.