Juventus ka nisur nga puna për sezonin e ri, aty ku bardhezinjtë do të kërkojnë të rikthehen te tituli kampion i Serisë A që në shtëpinë e torinezëve mungon prej dy vitesh.
Drejtuesit janë duke u kujdesur që në organikën e Massimiliano Allegrit të mos mungojnë kampionët ndërsa kanë siguruar transferimin e lojtarëve si Di Maria, Pogba apo edhe mbrojtësi Bremer.
Megjithatë, edhe nga organika e sezonit të kaluar ka lojtarë të cilët pritet të shpërthejnë këtë vit. Një prej tyre është Dusan Vlahovic me serbin që ka detyrën të udhëheqë dhe të finalizojë aksionet e shokëve të skuadrës. Për të krijuar një ambient sa më relaksues e pozitiv rreth sulmuesit ka menduar vetë trajneri Massimiliano Allegri që e ka sfiduar lojtarin e tij me disa goditje nga një kënd shumë i vështirë për të realizuar.
Vlahovic e mori me të qeshur sfidën ndërsa u shqetësua edhe për Allegrin duke e lajmëruar se mund të vritej, megjithatë tekniku shënoi e po ashtu bëri edhe Vlahovic, madje ky i fundit ishte zbathur. Në këtë pikë, Allegri e komplimeton Vlahovic se godet më mirë zbathur ndërsa serbi i sugjeron që të luaj pa veshur atletet në sezonin e ri. Këto lojëra të Allegrit me futbollistët gjatë stërvitjeve janë shndërruar në një traditë pasi më herët tekniku livornez ka sfiduar edhe Dybalën apo Pogba.